Të jetosh në një Qendër Korrektuese – Të miturit që u përfshinë në vepra penale

Xheneta Uka

Të jetosh në një Qendër Korrektuese – Të miturit që u përfshinë në vepra penale

114 persona të mitur vetëm gjatë këtij viti në Kosovë janë përfshirë në vepra penale. Prej tyre 38 të mitur, janë në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Lipjan. Gazeta Insajderi ka qenë në këtë qendër ku ka takuar të miturit të cilët aty ndjekin mësimet, bëjnë trajnime të ndryshme dhe punojnë.

D.M nga Peja kur ishte vetëm 17 vjeç ishte përfshirë në veprën penale vjedhje e rëndë. Ndaj tij, është shqiptuar masa e dënimit me burg prej 1 viti. Ai tash ndodhet në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

D.M, thotë se nga mosha 15 vjeçare kishte filluar të merrej me punë të jashtëligjshme.

Si i mitur që nga mosha 15 vjeçar ja kom nise me shoqni të keqe tu u merr me punë të këqija.  Si 17 vjeçar kam bërë një vepër penale, vjedhje e rëndë”, ka thënë D.M për Gazetën Insajderi.

Gjatë një viti të qëndrimit në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ky i ri zhvillon një jetë krejt tjetër. Që nga mëngjesi e deri në mbrëmje ai ka për të ndjekur një rregullore të vendosur nga përgjegjësit e Qendrës Korrektuese në Lipjan.

Ai madje ka edhe një punë për të cilën paguhet 1 euro në ditë.  

“Në ora 8:20 shkojë në byfen e Qendrës Korrektuese ku punoj dhe paguhem 1 euro në ditën, aty ju qes kafe punëtorëve, më pas shkoj në shkollë, pas përfundimit të shkollës kthehem prapë në punë, nëse e shoh që nuk kam një punë shkoj në pavijon”, ka thënë D.M për Gazetën Insajderi.

Tutje, ai ka treguar se përveç shkollimit të cilën e ndjek në mënyrë të rregullt ai merret edhe me trajnime profesionale, për të cilat në fund certifikohen me mundësi punësim pas lirimit.

“Po merrna me aktivitet, me trajnime”, ka shtuar me tej.

I penduar me veprimin që e ka bërë, ai ka kërkuar nga të rinjtë që të mos merren me punë të jashtëligjshme.

“Ju kisha sugjeruar që mos me përsërit gabimin që e kom ba unë se nuk ja vlen, ju kisha lute që me vazhdu jetën përpara”, ka përfunduar D.M

Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, vetëm gjatë këtij viti numri i të miturve që janë përfshirë në vepra penale është 114 persona.

Drejtori i Qendrës Korrektuese në Lipjan, Isuf Iberdemaj ka treguar për Gazetën Insajderi se në vuajtje të dënimit në këtë qendër janë 38 të mitur, për vepra të ndryshme.

“Numri aktual i të miturve është 38 gjithsej edhe të paraburgosur edhe të dënuar edhe me masë”, ka thënë Iberdemaj.

Me numrin më të madh të veprave penale prin gjinia mashkullore, ku 33 prej tyre janë në vuajte të dënimit kurse numri i femrave është më i ultë në krahasim me meshkujt, 5 femra janë në vuajtje të dënimit për vepra penale, shkruan Gazeta Insajderi.

Drejtori i Qendrës Korrektuese në Lipjan, Isuf Iberdemaj, ka tregua rreth kategorizimit të dënimeve.

“Ky kategorizimin dhe kjo ndarje bëhen edhe në bazë të dënimit por edhe në bazë të veprës penale. Që nënkupton edhe femra edhe të mitur të  gjitha kategorive, të mitur të paraburgosur, të mitur të dënuar dhe me masë edukative si dhe femra të mitura të paraburgosura , me masë dhe të dënuara” ka thënë Iberdemaj.

Sipas tij, në këtë qendër ofrohen edhe trajnime profesionale për të cilat lëshohen certifikatat për të miturit.

Përveç shkollimi në qendrën tonë të miturit kanë mundësin të kryejnë edhe trajnime profesione, meshkujt në fushën e ndërtimtarin, të instalimeve hidrosanitare, instalimeve elektrike, dhe të IT kurse femrat munde të kryejnë edhe për rrobaqepësi edhe për parukeri”, tha Iberdemaj.

“Certifikata dhe diplomat e shkollës për të miturit që vuaj dënime për vepra penale u jepet në mënyrë të rregullt sikurse në shkollat publike, duke mos iu figuruar që merren nga burgu, për mos dëmtimin e karrierës që mund ta zhvillojnë me tutje”, ka thënë Iberdemaj për Insajderin.

Si trajtohen të miturit  që janë përfshirë në vepra penale

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, që monitorin edhe Qendrën e Korrektuese në Lipjan thonë se në përgjithësi trajtimi i të miturve është i mirë pasi që kjo është edhe kategoria më e rëndë me të cilën duhet të punohet.

Drejtori i KMDLNJ-së, Behxhet Shala tha për Gazetën Insajderi, se duhet të bëhet një program i specializuar që të zbatohet tek trajtimi i të miturve.

“Problemi është se nuk ka program specializues, deh kjo duhet të behët, më pas duhet të ketë oficer korrektues të profilizuar dhe të specializuar vetëm me punë me të me të miturit,  jo për të rritur”, ka thënë Shala për Gazetën Insajderi.

Ai ka përmendur si problemi edhe mungesën e oficerëve korrektuar të specializuar për të punuar me të miturit dhe trajtimin e vajzave të mitura.

“Problemi nuk është se nuk ka vullnet të trajtohet të mitur por është një problem që mungon profili i oficerëve korrektues i cili duhet të punonte me të mitur, është e pamundur që një oficerë i cili punon me të mitur të jetë i suksesshëm edhe duke punuar me të rritur pra duhet  urgjentisht një numër i oficerëve të konkretizohen vetëm me një punë me të mitur dhe atëherë mund të presim rezultate më të mira”.

“Ka mungesë të njerëzve kompetent të cilët duhet të merren vetëm me trajtimin e femrave”, tha Shala.

Si janë të rregulluara dënimet për të miturit?

Dënimet për të miturit në Republikën e Kosovës, janë të rregulluar sipas Ligjit Penal për të Mitur në Kosovës.

Në Institucioin e Avokatit të Popullit, kanë treguar se qëllimi i këtij Kodi është që në procedurën penale, të miturit, si kryerës i veprës penale, t’i shqiptohet masa ose dënimi i cili siguron realizimin e interesit të tij më të mirë.

“Dënimet që mund të shqiptohen ndaj të miturve janë: gjoba, urdhri për punë në dobi të përgjithshme dhe burgimi për të mitur”, tha zyrtari për informim në zyrën e Avokatit të Popullit, Petrit Collaku.

Sipas, tij, dënimi nuk mund t’i shqiptohet të miturve nën moshën 16 vjeçare.

“Gjithashtu, për fëmijën nën moshën katërmbëdhjetë (14) vjet nuk fillon procedura gjyqësore ndërsa nëse fëmija është nën moshën katërmbëdhjetë (14) vjet në kohën e kryerjes së veprës penale, çdo procedurë gjyqësore që ka filluar pushohet menjëherë dhe organi i kujdestarisë njoftohet për rastin nga policia pas konsultimit me prokurorin e shtetit për të mitur”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit dhënë Insajderit.

Sipas Kodit Penal për të Mitur, ndaj të miturve janë dy masa: masat e diversitetit dhe masat edukative.

Masa e diversitetit, sipas këtij kodi, aplikohet në rastet kur të miturit kanë kryer vepër penale të dënueshme me gjobë apo me burgim me tri vjet ose më pak.

“Gjatë shqiptimit të këtyre masave gjykatat marrin parasysh nevojën e të miturit për shkollim ose aftësim profesional”, thuhet në këtë kod.

Derisa qëllimi i masës edukative është që të kontribuojë në rehabilitimin dhe zhvillimin adekuat të kryerësit të mitur, duke ofruar mbrojtje, ndihmë dhe mbikëqyrje, duke siguruar edukim dhe aftësim profesional, duke zhvilluar përgjegjësinë e tij personale dhe kështu duke ndaluar sjelljen recidiviste.

“Llojet e masave edukative që mund të shqiptohen ndaj kryerësit të mitur janë masat disiplinore, masat e mbikëqyrjes së shtuar dhe masat institucionale”, thuhet në kod.

Kur ndaj të miturit shqiptohet ndonjë masë apo dënim, gjykata në radhë të parë merr parasysh interesin më të mirë të të miturit.

“Gjykata gjithashtu merr parasysh edhe këto rrethana: llojin dhe peshën e veprës penale, moshën e të miturit, nivelin e zhvillimit psikologjik, karakterin e tij dhe prirjet, motivet që e nxitën atë të kryejë veprën penale, edukimin e tij në atë fazë, mjedisin dhe rrethanat e jetës së tij, nëse është shqiptuar masë apo dënim më herët dhe rrethanat tjera që mund të ndikojnë në shqiptimin e masës apo dënimit”, thuhet më tej. /Insajderi.com 

Të jetosh në një Qendër Korrektuese – Të miturit që u përfshinë në vepra penale

Të jetosh në një Qendër Korrektuese – Të miturit që u përfshinë në vepra penaleRrëfimi i të miturit brenda burgut të Lipjanit-Pse u dënua ai?-Si e kalon ditën në burg?-Kjo është puna që bën për të cilën paguhet 1 euro në ditë?Për këto dhe shumë detaje tjera, ndiqeni intervistën e plotë

Gepostet von Insajderi am Samstag, 14. Dezember 2019