Zëvendës kryeministri i parë, Besnik Bislimi, derisa ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjes së deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, për qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje ndër vite, duke iu referuar Albin Kurtit si “lider suprem”, i tha se nuk i kthen përgjigje dikujt të cilin e ka larguar nga puna 10 vjet më parë për shkak të qasjes së tij, që sipas Bislimit, vazhdon ta ketë të njëjtë.
Pas nisjes së këtij debate të ashpër, deputetët e PDK-së, Ardian Kastrati dhe Blerta Deliu, kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit në shenjë proteste, pasi që zv.kryeministri Besnik Bislimi ka refuzuar t’ju përgjigjet pyetjeve të Kastratit, ndër të cilat ishte edhe “për ofertat që i kanë në tavolinë për dialogun Kosovë-Serbi”.
“Në bazë të informatave që ju i dhatë, unë e kuptova se ju nuk dini asgjë dhe rrjedhimisht prej atij Ardiani që ne e kemi larguar si referent para 10 vjetësh për shkak të kësaj qasje, për shkak se jeni konsistent dhe nuk keni ndryshuar aspak. Keni mbetur i njëjti Ardian të cilin e kemi larguar nga puna dhe si i tillë që je, nuk meriton përgjigje nga unë”, ka thënë Bislimi.
Kastrati derisa bëhej gati të linte këtë mbledhje të deputetëve, në tensionin e krijuar, i tha Bislimit se ai është kukull.
“Ti je kukull, ai të ka dërguar me pshtjellë me këto raporte. E ke tradhëtu elektoratin tënd”, iu kundërpërgjigj Kastrati. /Insajderi.com