Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e të lënduarve nga shpërthimi i gazit në rrugën Prishtinë-Ferizaj është jashtë rrezikut për jetë, njofton Insajderi.
Me anë të një komunikate për media, është bërë e ditur se të lënduarit janë vizituar sot nga ushtruesi i detyrës i drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.
“Dr. Valbon Krasniqi, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, në orët e mbrëmjes ka vizituar të lënduarit nga gazi që po trajtohen në QKUK, ku nga afër është njoftuar për gjendjen e tyre shëndetësore”, thuhet në komunikatë.
“Gjatë vizitës, stafi mjekësor e njoftoi se të lënduarit kanë pësuar lëndime në pjesë të ndryshme, ku 9 prej tyre po trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Plastike. Asnjëri nga të lënduarit nuk është në rrezik për jetë”, thuhet tutje në njoftim./Insajderi.com