Grajqevci: Serbia po i kërcënon serbët që duan të dëshmojnë për vendndodhjen e varrezave

Grajqevci: Serbia po i kërcënon serbët që duan të dëshmojnë për vendndodhjen e varrezave

Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshillit Koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës në Kosovë, ka kërkuar që Qeveria ta ketë prioritet çështjen e të pagjeturve, njofton Insajderi.

Në Express Intervistë Grajqevci ka thënë se institucionet e Kosovës përgjatë viteve kanë punuar drejt zbardhjes së fatit të të pagjeturve, porse kjo nuk është varur vetëm nga ta.

“Qeveria e re duhet ta ketë temë me prioritet. Vazhdimisht qeverive ua kemi përcjellë të dhënat si duhet, si duhet të formohen grupet punuese, komisionet, ligjet, kemi qenë në bashkëpunim me institucionet. Të gjitha qeveritë janë munduar ta bëjnë të pamundurën të mundur, por nuk është varur nga ta. Çështja e fatit të zhdukurve nuk varet nga qeveria”, ka thënë ai duke shtuar se kjo çështje “varet nga vullneti i Serbisë.

Grajqevci ka shtuar se Qeveria në krye me Albin Kurtin nuk duhet ta bëjë asnjë hap përpara në marrëdhëniet me Serbinë pa e shtruar çështjen e të pagjeturve.

“Bashkësia ndërkombëtare i ka borxh Kosovës që ti bëjë trysni mbi Beogradin mbi zgjidhjen e fatit të të pagjeturve. Kjo është top temë që Kurti asnjë hap të mos shkojë pa e vu çështjen e të zhdukurve dhe krimeve të luftës në tavolinë”, ka thënë ai.

Megjithëse jo gjithçka ka qenë e varur prej qeverive, Grajqevci ka thënë se ka edhe tema që brenda shtetit kanë mundur të zgjidhen. Të tillë e ka konsideruar zgjidhjen e çështjeve të krimeve të luftës.

“Edhe qeveritë e kaluara nuk e ka bërë mrekullinë, kanë pasur mundësi të bëjnë më shumë brenda Kosovës. Nuk kanë mundur të bëjnë trysni mbi Beogradin, bashkësinë ndërkombëtare, por brenda Kosovës kanë pasur mundësi t’i zgjidhin shumë çështje. Çështjen e krimeve të luftës kanë pasur mundësi”.

Grajqevci ka folur edhe për organizatat që punojnë në këtë drejtim e që janë pjesë e Këshillit Koordinues. Ka shtuar se janë 24 organizata që punojnë vazhdimisht pa mbështetje financiare nga shteti, teksa me dy të tjera që merren me po të njëjtën temë, ka thënë se nuk kanë bashkëpunim.

“Bashkëpunojmë mes vete 24 organizata, nuk bashkëpunojmë me Qendrën Burimore, qendrën e Natasha Kandiqit. Nuk bashkëpunojmë sepse janë të njëanshme. Kuptohet se ato janë të deleguara prej Beogradit por veprojnë në Kosovë”.

Grajqevci ka thënë se si përgjatë viteve, ende ka mjaft serbë të cilët dëshmojnë për të treguar varrezat nga lufta në Kosovë, porse sipas tij, ata po i ndalon edhe Serbia.

“Edhe tash ka plot serbë që do dëshmojnë në komision për të treguar varreza, por politika serbe i kërcënon”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se ka mjaft dëshmi, por që konsideron se duhet të punohet më shumë në terren. Ka treguar se vështirësi kanë po ashtu të shumta, pasi për punën në terren u mungojnë edhe mjetet elementare për punë./Insajderi.com