Për të mërkurën është paralajmëruar edhe protesta e tretë e shoqërisë civile, me kërkesë kryesore shkarkimin e Kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi.
Grupi organizator i këtyre protestave sot kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë paralajmëruar për hapat e radhës që do t’i ndërmarrin.
Gramos Buçinca ka thënë se edhe për protestën e së mërkurës, mbesin tri kërkesa kryesore, në mesin e të cilave është edhe vetting në gjyqësor.
“Kjo protestë do t’i ketë tri kërkesa kryesore: shkarkimin e kryeprokurorit, Vetting në gjyqësor si dhe pastrim të listave të veteranëve”, ka thënë Buçinca.
Tutje ai ka folur edhe për deklaratat e fundit nga presidenti Thaçi për korrigjimn e kufijve, duke vlerësuar se situata në Kosovë vetëm po përkeqësohet.
Buçinca ka paralajmëruar se ditëve në vazhdim mund të ketë edhe bllokim të institucioneve dhe rrugëve.
“Secili qytetar mund të vie me parullën e vet. Ne do të vazhdojmë të protestojmë por jo duke përdorur mjete të forta apo të zjarrit, por me bllokim të rrugëve dhe institucioneve”, deklaroi ai.
Për shkarkimin e Lumezit ishte protestuar edhe dy herë të tjera në kryeqytet.
Këto protesta kanë ardhur pasi ish-prokurori, Elez Blakaj që po hetonte manipulimet me listat e veteranëve, kishte akuzuar Lumezin për presion. /Insajderi.com