Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, ka dështuar sot të shqyrtonte Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001, mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, me raport amendamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Transfere, ani pse seanca për këtë çështje pritet të mbahet të mërkurën.
Kështu, në mungesë të kuorumit, kryesuesi i këtij komisioni, Albert Kinolli, theksoi se prej 18 anëtarëve vetëm shtatë deputetë janë të pranishëm dhe nuk ka kuorum për shqyrtimin e rishikimit të buxhetit, që ishte pikë e vetme e rendit të ditës.
Deputeti Kinolli, që është edhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit, theksoi se për aq sa është në dijeni, seanca për rishikimin e buxhetit do të mbahet pasnesër (të mërkurën).
“Siç po e shihni në këtë takim jemi duke u ballafaquar në mungesë kuorumit, për ta mbajtur këtë takim na nevojiten prej 18 anëtarëve sa janë pjesë e këtij Komisioni që u bien 10 deputetë. Ne për momentin jemi vetëm shtatë dhe jemi në pamundësi që ta mbajmë takimin… Në të kundërtën ne mund t’i rekomandojmë apo propozojmë seancës që në mungesë të kuorumit pa rekomandim të Komisionit për Komunitete dhe Kthim që në seancë të vendoset. Ne jemi një nga katër Komisionet e përhershme, ne mund të dalim me një rekomandim për t’u vendosur në seancë në mungesë kuorumi, duke përkrah dy propozimet nga parafolësit kolegët që ne pa paragjykim t’i shtjerrim të gjitha mundësitë për shkak se sipas asaj që ne jemi në dijeni seanca plenare do të mbahet ditën e mërkurë”, tha Kinolli.
Të pranishëm nuk ishin kryetarja e Komisionit nga radhët e Listës serbe Miljana Nikoliq dhe deputetët e tjerë nga kjo parti.
Këtë projektligj janë të obliguara të shqyrtojnë edhe Komisioni për Legjislacion dhe ai për Integrime Evropiane. /Insajderi.com/