“Të modifikohet udhëzimi administrativ”, deputetët pro bartjes së shamisë në shkolla

“Të modifikohet udhëzimi administrativ”, deputetët pro bartjes së shamisë në shkolla

“Asnjëri nga deputetet e komisionit nuk ka qenë kundër bartjes së shamisë në shkolla, tani duhet të modifikohet udhëzimi administrativ”.

Kështu ka thënë Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, duke shtuar se është thirrur komisioni që drejton dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, për të ndryshuar këtë udhëzim administrativ.

“Ne kemi thirrur Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për ta ndryshuar apo nxjerrë një udhëzim të ri administrativ, i cili do të specifikojë veshjen me shami brenda institucioneve”, ka thënë Balje.

Ajo ka theksuar se janë duke kërkuar një udhëzim konkret pasi që ky aktual nuk e definon saktë dhe sipas saj, jep mundësi që disa drejtorë të marrin vendime personale sa i parket bartjes së shamive.

“Në praktikisht që dy-tri ditë jemi duke folur edhe me personat kompetent, duke dashur të bëjmë diçka më konkretë sepse ky udhëzimi nuk është decidiv dhe herë  lejon dhe nuk lejon bartjen e shamisë dhe kjo jep hapësira që disa prej drejtoreve të marrin vendime me shumë personalisht, se sa ligjore”, ka thënë deputetja e Kuvendit të Kosovës.

Kryetarja e komisionit, po ashtu deklaroi se ka folur me disa përfaqësues nga besimi islam, të cilët kanë kërkuar që në këtë udhëzim të përfshihen nxënëset e moshës 11 vjeçare.

“Sot kam folur edhe me disa përfaqësues nga besimi mysliman, ku kanë kërkuar që ky ligj ti përfshi vajzat nga mosha 11 vjeçare, por ende nuk kemi specifikuar asgjë dhe kjo do të diskutohet që mos të ndodhë më që shkollat të vendosin ndryshe njëra-tjetrës sa i përket bartjes së uniformës”, u shpreh më tej Balje.

Në anën tjetër, sekretari i Ministrisë së Arsimit, Agim Bërdyna, në një përgjigje për redaksinë ka thënë së nuk kanë pranuar ndonjë ftesë nga ky komision, por në rast se ndodhë, janë pro mbajtjes së një mbledhjeje.

“Ne nuk kemi pranuar ende ndonjë kërkesë, në qoftë se kjo ndodhë në jemi për ta mbajtur”, ka thënë ai.

Gjatë ditës së hënë, kryetari i komunës së Mitrovicës ka njoftuar se ka liruar nga detyra Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, Ismet Ferizi.

Sipas tij, ai ka bërë deklaratë “skandaloze” në baza fetare gjatë një takimi zyrtar me ministren Arbërie Nagavci, ku ka thënë: “Sa të jem unë drejtor, askush me shami nuk do të punësohet në arsim”.

“Ky diskriminim në baza fetare për mua ka qenë i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ku për pasojë më është dashur të marrë veprimin e lirimit nga detyra, pasi që ai nuk ka reflektuar në qëndrimin e tij edhe pas këtij takimi, ka thënë Bahtiri. /Insajderi.com