“Të pafytyrë”, shpërthen Paloka: Në vend se të japin llogari e të mbajnë përgjegjësi, ndajnë dekorata

“Të pafytyrë”, shpërthen Paloka: Në vend se të japin llogari e të mbajnë përgjegjësi, ndajnë dekorata

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka ka shpërthyer në akuza ndaj qeverisë dhe maxhorancës për situatën në vend pas tërmetit të fortë që goditi vendin mëngjesin e 26 nëntorit.

Në një postim në “Facebook”, Paloka duke iu referuar seancës së sotme plenare i cilëson ‘të pafytyrë’ përfaqësuesit e maxhorancës, që sipas tij në vend që të japin llogari e të mbajnë përgjegjësi, kanë dalë të marrin dekorata.

Ai tregon rastin e një ish-deputeti që ditën e tërmetit i dëshpëruar për të nxjerrë njerëzit e tij nga rrënojat iu kërkonte kova fqinjëve, ndërsa thotë se grupet e emergjencave nuk kishin as doreza.

Paloka thekson se ‘ato familje e ata njerëz nuk kanë nevojë për spektaklin dhe karagjozllëqet e kryeministrit, as për shfaqjen e ministreshave që me veshje të zeza bëjnë sikur mbajnë lotët në podiumin e Parlamentit dhe thurin lavde për shpëtimtarin në krye të tyre’. Sipas tij, kjo është rruga për ta bërë edhe më të thellë krizën dhe rënduar fatkeqësinë.