Të premten kompanitë e autobusëve protestojnë rrugëve të Prishtinës

Të premten kompanitë e autobusëve protestojnë rrugëve të Prishtinës

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka marrë vendim që të premten e 19 marsit të parakalojnë rrugëve të kryeqytetit në shenjë proteste, përcjell Insajderi.

Nga kjo shoqatë qysh nga sot (e mërkurë) kanë hyrë në grevë për shkak të mos përmbushjes së marrëveshjes nga Ministria e Infrastrukturës për subvencionin e operatorëve të transportit.

Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj, në një konferencë për medie tha se parakalimi i autobusëve, anëtarëve të shoqatës, do të bëhet për të sensibilizuar opinionin dhe për të protestuar para qeverisë për moszbatimin e marrëveshjes.

“Një prej sektorëve më të dëmtuar ka qenë ky. Kemi parë nga afër rrjedhën e grevës. Sapo përfunduam mbledhjen dhe morëm vendim që masat e marra të ndërmarra deri më tani nga dita e premte duke filluar nga ora 10:00 do të defilohet në Prishtinë për të protestuar para Qeverisë për moszbatim të marrëveshjes për pakon emergjente që do të na subvenciononte”, ka thënë ai.

“Në bazë të reflektim të Qeverisë do të merren edhe vendimet tjera. Kemi unitet për të vazhduar grevën deri në realizimin përfundimtar të kërkesave tona. Dy ditët e para do të jenë vetëm grevë për shkak të pandemisë, greva do të vazhdojë edhe nesër, kurse të premten autobusat nga të gjitha komunat e Kosovës do të defilojnë në Prishtinë për të protestuar”, ka shtuar Kurtishaj./Insajderi.com