Të rinjtë e PDK-së me aksion para MPJD-së: Gërvalla ka harruar se kë përfaqëson

Të rinjtë e PDK-së me aksion para MPJD-së: Gërvalla ka harruar se kë përfaqëson

Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës ka organizuar aksion simbolik para ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, ku kanë stampuar emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njofton Insajderi.

Të rinjtë e partisë më të madhe opozitare mbanin në duar fotografitë e krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë për të ashtuquajtura ”krime lufte” dhe një pako ku shkruhej “këtu deponohen dosjet e gjenocidit serb në Kosovë” .

Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi, ka thënë që aksioni i tyre shërben për t’ia rikujtuar Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, se ajo e përfaqëson dhe duhet ta përfaqësojë vetëm Kosovën.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës në atë kuti ta vazhdojnë deponimin dhe t’ia rikujtojmë ministres Schwarz se kush ka qenë agresori dhe kush ka qenë viktima”, ka thënë Bislimi.

Dëshmitë e mbledhura të krimeve të luftës në Kosovë ata do t’ia dorëzojnë ministres Gërvalla.

Bislimi e quajti “dhuratë” këtë kuti që ata e kanë vendosur para objektit të ministrisë, duke thënë se Gërvalla-Schwartz ka harruar se kë e përfaqëson në politikën e jashtme.

Prezentë në mesin e të rinjve ishte edhe deputetja e Eliza Hoxha.

Ky reagim i PDK-së vjen një ditë pasi në seancën e Kuvendit ka kërkuar shkarkimin e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla pas pohimeve se ajo do të deponojë dosje në Hagë për krime lufte në Kosovë./Insajderi.com