Termokiss - kënaqësia e të dhënit

Të rinjtë që gatuajnë shujta të ngrohta për njerëzit në nevojë

“Nga ky proces përfitonim të gjithë njëkohësisht: personat në nevojë, të cilët përfitonin një shujtë të gatuar me vlera të vërteta ushqyese dhe një komunikim njerezor, ndërsa neve na mundësonte ta shohim realitetin prej një këndvështrimi tjetër, dhe të kuptojmë se kur jep (ndan me të tjerët) pasurohesh shumë në aspektin shpirtëror e mental”, thotë Erna, aktiviste e Termokiss, për Insajderin.

Të rinjtë që gatuajnë shujta të ngrohta për njerëzit në nevojë

Termokiss është një hapësirë që ndodhet në qytetin e Prishtinës në një strukturë të pa përfunduar të ish objektit të Termkos (që ishte paraparë të bëhej ngrohtorja kryesore e qytetit). Kjo hapësirë shërben si qendër sociale e të rinjve, ku qytetarët mund të organizojnë evente të ndryshme, me kushtin e vetëm që të mos jenë komericale.

Termokiss drejtohet nga një komunitet i të rinjve dhe ka si mision këmbimin urban dhe civil, reflektimin dhe ndryshimin.

Që disa kohë komuniteti i Termokiss me ndihmën e vullnetarëve është duke organizuar aktivitetin e quajtur “Bukë për krejt”.

Komunitetiteti i Termokiss bashkë vullnetarët mblidhen dhe gatuajnë ushqim të cilin pastaj dalin nëpër rrugë dhe e shpërndajnë për personat që kanë nevojë.

Fakti që Termokiss në thelb nuk është shoqatë humanitare dhe nuk përkufizohet e as nuk merr fonde si e tillë, e bën jashtë mase të veçantë këtë përkushtim që është komplet i bazuar në dëshirën e mirë dhe vullnetin e disa të rinjëve.

Erna Sopa, aktiviste në “Bukë për krejt” në bisedë me Insajderin, na tregon që ky aktivitet ka filluar si pjesë e një festivali të përvitshëm të organizuar nga Termokiss, në të cilin mbahen punëtori, koncerte dhe ngjarje të ndryshme.

“Zakonisht festivali zgjatë disa ditë me aktivitete të cilat fillojnë që në mëngjes dhe zgjasin deri në mbrëmje vonë. Një prej aktiviteteve të festivalit është edhe gatimi i ushqimit së bashku për të gjithë. Në edicionin e fundit të festivalit, kemi pasur mbështetje për ushqim nga kompania Meridian, në vlerë prej 50 eurosh në ditë. Meqenëse ushqimin e gatuanim vet, ajo shumë ishte më se e mjaftueshme për të gjithë pjesëmarrësit e festivalit, madje edhe tepronte ushqimi. Kështu na lindi ideja që secilën herë, kur gatuanim për festival, të gatuajmë edhe për skamnorët dhe të gjithë së bashku t’i shpërndajmë pjatat me ushqim për ata që kanë nevojë.”

Sipas saj, kjo ide u prit shumë mirë, dhe gjatë stinës së dimrit ata filluan të përsërisin këtë aktivitet në një kohë kur një shujtë e ngrohtë, për një person që është duke qëndruar nëpër të ftohtin e rrugës, përpos si ushqim, mund të konsiderohet mbështetje e manifestim i empatisë njerëzore. Biseda e fjalët e pakta të shkëmbyera me skamnorët e shumtë të kryeqytetit, u përdorën si nxitje për të vazhduar këtë aktivitet humanitar.

“Nga ky proces përfitonim të gjithë njëkohësisht: personat në nevojë, të cilët përfitonin një shujtë të gatuar me vlera të vërteta ushqyese dhe një komunikim njerezor, ndërsa neve na mundësonte ta shohim realitetin prej një këndvështrimi tjetër, dhe të kuptojmë se kur jep (ndan me të tjerët) pasurohesh shumë në aspektin shpirtëror e mental”, thotë Erna për Insajderin.

Për të gjithë ata që janë të interesuar të bëhen pjesë e këtij aktiviteti, apo të përfitojnë prej tij, Erna na tregon për kohën dhe vendin ku  shprëndahen këto shujta.

“Shpërndarja e shujtave bëhet dy herë në javë, ditën e hënë dhe varësisht kur e caktojmë  së bashku me vullnetarët – të enjten ose të shtunën. Nuk kemi ndonjë vend të caktuar, fillojmë nga lagjja “Dardania”, vazhdojmë te Bibloteka Kombëtare, përgjatë sheshit dhe mundohemi me gjetë sa më shumë vende ku rrijnë personat skamnorë. Synimi jone afatgjatë është që nëse në të ardhmen do të kemi përkrahje, ta shpeshtojmë shpërndarjen edhe gjatë ditëve tjera të javës”.

Iniciativa e komunitetit të Termokiss ka gjetur mbështjetje te kompania Meridian, të cilët u mundësojnë furnizimin me ushqime një herë në muaj, në vlerë prej 100 eurosh.

“Inciativa ka filluar prej anëtarëve të Termokiss, mirëpo ka ardhur si rrjedhojë e bashkëpunimit me kompaninë Meridian. Pas një pauze të detyrueshme shkaku i pandemisë, kemi filluar prap me shpërndarjen e ushqimit, edhe këtë herë kemi mbështetje nga Meridian, ku furnizohemi me produkte ushqimore me vlerë deri 100 euro në muaj. “Soma Book Station” po gatuajnë gjellë (e cila është shumë e shijshme) dy herë në muaj. “Miqt Pub”  për të na  lehtësuar procesin e gatimit, na kanë ofruar për shfrytëzim kuzhinën e tyre.”

Ajo që duhet theksuar është edhe fakti që ky aktivitet synon të mbrojë dhe të vetëdijësoj lidhur me ndotjen dhe mbrojtjen e ambientit.

“Si klub i gatimit, por edhe komuniteti i Termokiss në përgjithësi, e konsiderojmë si prioritet mbrojtjen e ambientit – për këtë arsye kemi kërkuar ndihmë nga kompania “LB Group – Eko Pack”, të cilët na kanë siguruar pjata të riciklueshme”.

Për të gjithë ata që kanë vullnetin dhe dëshirën për të mbështetur aktivitetin e këtij komuniteti humanist  qoftë përmes ndihmave materiale, apo vetëm duke ndihmuar në këtë proces “mund të na shkruajnë në rrjetet sociale të Termokiss në Facebook, Instagram, Twitter; email [email protected]., thotë Erna.”

“Mundeni me u bashkangjit në klubin e kopshtarisë – ku kujdesemi për bahqen, klubi i gatimit – ku gatuajmë shujtat si dhe grupi i shpërndarjes – për shpërndarjen e ushqimit. Kavanozat per donacion të “Bukë për krejt” i gjeni në objektin e Termokiss, apo në disa prej kafeneve dhe restoranteve në Prishtinë, si  Miqt Pub, Dit’ e Nat’, Babaghanoush dhe Pijetore”.

Ajo e përfundon bisedën me Insajderin duke ftuar të gjithë ata që kanë ndonjë ide ose sugjerim, të shkojnë për vizitë në objektin e Termokiss, ku do të mund të njoftohen, të sugjerojnë apo të shohin procesin e aktivitetit të “Bukë për krejt.”/Insajderi.com