Të shtunën mbahet Provimi i Maturës

Të shtunën mbahet Provimi i Maturës

Të shtunën e 26 qershorit do të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore.

Kështu ka njoftuar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përcjell Insajderi.

Në kumtesë thuhet se të gjitha përgatitjet e nevojshme janë kryer. Maturantët provimit do t’i nënshtrohen nga ora 10:00.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet i përkushtuar për organizimin dhe zhvillimin e një procesi të mirëfilltë e të besueshëm, prandaj kërkon që çfarëdo parregullsi eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI. Ndërsa, ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi”.

“Bazuar në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit. Kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit”, thuhet në njoftim.

“Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Prandaj, mediet mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës”, thuhet në njoftim.
Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore do të publikohen më 5 korrik. /Insajderi.com