Infermierë, shërbyes shëndetësorë dhe zyrtarë të tjerë publikë janë sulmuar vetëm vitin e kaluar 35 herë në vendin e punës. Rasti i fundit është ai i plagosjes së një infermieri me thikë. Prandaj Odat e ndryshme të punëtorëve po kërkojnë më shumë siguri në punë. Kurse nga opozita janë skeptikë se diçka do të bëhet në këtë drejtim, pasi “nuk ka plan për mbrojtjen dhe sigurinë e punëtorëve”.
Gjendja shëndetësore e infermierit që u ther me thikë më 26 shtator është e qëndrueshme. Ai është liruar nga spitali ku po trajtohej për disa ditë.
Drejtori i Qendrës së Urologjisë, Sabit Mehmeti, e ka konfirmuar këtë për Gazetën Online Insajderi.com.
“Gjendja e infermierit është stabile, është liruar për në shtëpi”, tha ai.
Infermieri ishte therur me thikë nga një qytetar në Qendrën Klinike Universitare, pas një debati verbal që eskaloi në dhunë fizike.
Policia e pati raportuar rastin, duke treguar se “i dyshuari pas kryerjes së veprës penale është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe është duke u kërkuar nga policia”.
Ende nuk është njoftuar nëse ka ndodhur arrestimi i agresorit.
Sulmet – si ky i 26 shtatorit me thikë – në vendin e punës për zyrtarë të ndryshëm nuk është gjë e rrallë në Kosovë. Ndodh vazhdimisht.
Zyra për Informim e Policisë së Kosovës në një përgjigje për Insajderi-n, deklaron se vetëm gjatë vitit 2019 janë raportuar 35 raste për ofensiva ndaj zyrtarëve publikë derisa po kryenin detyrën. Për këtë vit ende s’ka të dhëna
Në mesin e këtyre 35 rasteve ka pasur edhe infermierë (siç) ka ndodhur edhe me rastin e 25 shtatorit.
Për këtë e shqetësuar shprehet Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë, duke kërkuar që të ndëshkohen akterët e këtyre sulmeve sipas ligjeve në fuqi.
“OIK vazhdimisht ka kërkuar zbatimi i ligjeve dhe ndëshkimin e këtyre veprave sipas ligjeve në fuqi, ndaj kujtdo që mund të çojë dorë mbi mantelbardhët, të cilët nuk po kursejnë as shëndetin e tyre për t’iu dalë në ndihmë pacientëve në kohë pandemie”, kanë thënë nga OIK për Insajderi-n.
Po ashtu potencohet se “është kërkuar nga institucionet që të krijohet një ambient i sigurt për punëtorët shëndetësorë”.
Por, këto institucione “nuk po kryejnë punët si duhet”, sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, i cili është anëtar i Komisionit për Shëndetësi.
Uka për Gazetën Online Insajderi akuzoi Qeverinë e Kosovës se “nuk ka plan për mbrojtjen dhe sigurinë e punëtorëve shëndetësorë”.
“Është për të ardhur keq, që punëtoret shëndetësorë mbesin vetëm në mëshirën e mirësjelljes së qytetarëve dhe ata nuk kanë as kushtet elementare të punës e tashme rrezikohen edhe nga individë që qasjen në institucionet shëndetësore e kanë të lehtë”.
Uka alarmon se “është koha e fundit që infermieret dhe mjekët të trajtohen dinjitetshëm, edhe me paga edhe me sigurime shëndetësore, por edhe me siguri në punë”./Insajderi.com