Xhirimet e tejkalimeve në vijë të plotë dhe publikimi i tyre në media kanë bërë që të mobilizohet Policia e Kosovës duke gjobitur shkelsit e ligjit, shkruan Insajderi.
Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës me qëllim të parandalimit të aksidenteve është duke realizuar një numër të madhe të aktiviteteve, duke ngritur pika kontrolli me radarë dhe duke e mbikëqyrur rrjedhën e komunikacionit përmes pajisjeve elektronike me dronë, njofton Klan Kosova.
Ky aktivitet tani po ndihmohet në masë te madhe edhe nga qytetarët të cilët po dërgojnë fotografi përmes aplikacionit “Lajmëro policinë” dhe duke i postuar në rrjetet sociale.
Si rezultat sot u dënua një qytetar i Dragashit që rrezikoi komunikacionin duke tejkaluar në vijë të plotë pasi një qytetar kishte dërguar fotografinë në këtë aplikacion.
Ngasësit i është shqiptuar tiketa e trafikut në vlerë 150 euro, si dhe janë marrë masat mbrojtëse 2 pikë negative dhe ndalimi i patentë shoferit në afat prej 3 muaj.
“Policia rajonale në Prizren falënderon qytetarët të cilët po kontribuojnë në parandalimin dhe raportimin e kundërvajtjeve të cilat shpesh po rezultojnë me aksidente fatale. Andaj së bashku mund te kontribojme në mbrojtje të jetës se qytetarëve dhe te ruajmë rregullin në komunikacion rrugor”, thuhet në njoftimin e policisë./Insajderi.com