Telekomi në rrezik – zvarritja e gjykatës po i shkakton humbje milionëshe

Dy histori arbitrazhi rrezikojnë ta ngufasin "Telekomin e Kosovës". Një e re që pritet të hapet tash dhe një ende e pambyllur. Me të parën është duke u marrë gjyqtarja Lendita Berisha.

Telekomi në rrezik – zvarritja e gjykatës po i shkakton humbje milionëshe

Ndërmarrja publike “Telekomi i Kosovës” është paditur sërish në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. I kërkohen mbi 13 milionë euro dëmshpërblim nga kompania “Dardafone”, e cila ka operuar në treg me emrin “Z-Mobile” për dhjetë vite. Kjo kompani private ka renditur në padi argumentet, përmes së cilave pretendon se kanë pasur shkëputje të kundërligjshme të kontratës me ndërmarrjen publike “Telekomi i Kosovës”.

Pa marrë parasysh verdiktin e Arbitrazhit Ndërkombëtar, vendimi i menaxhmentit të kësaj ndërmarrje tashmë i ka humbur mbi gjysmë milionë euro. Është angazhuar kompania e avokatëve për ta mbrojtur atë në Arbitrazh, në këmbim të kontratës që peshon 630 mijë euro.

Derisa “Telekomi i Kosovës”, përgatitet për mbrojtje në gjykimin e ri kundër “Dardafone”, ende nuk është mbyllur historia e Arbitrazhit të parë, në të cilin kjo ndërmarrje publike doli humbëse. Vendimi i Arbitrazhin e obligonë atë që t’ia paguajë mbi 30 milionë euro ish-partnerit privat, kompanisë “Dardafone”.

Mirëpo, ky vendim i Arbitrazhit ndërkombëtar ende nuk është ekzekutuar nga gjykatat vendore në Kosovë.

Kompania “Dardafone”, në muajin korrik të vitit të kaluar ka kërkuar nëpërmjet procedurës përmbarimore që të bëhet ekzekutimi i vendimit të Arbitrazhit Ndërkombëtar. Një muaj më pas, Telekomi i Kosovës ka bërë prapësimin e përmbarimit.

Prej asaj kohe, nga muaji gusht i vitit 2019 e deri në janar të vitit 2020 ende nuk është marrë asnjë vendim nga Gjykata Themelore-Departamenti për Çështje Ekonomike.

Arbitrazhi njeh të drejtën që kompania “Dardafone”, të përfitojë nga kamatat e mos ekzekutimit të vendimit nga gjykatat vendore.

Kamata parasheh një humbje prej 200 mijë eurosh në muaj. Shuma totale qe pesë muaj llogaritet të jetë rreth 1 milionë euro.

Insajderi i ka dërguar pyetje Gjykatës Themelore të Prishtinës lidhur me këtë zvarritje të vendimit. Nuk ka marrë ende përgjigje. Me rastin është duke u marrë gjyqtarja Lendita Berisha.

Po ashtu, Insajderi i ka dërguar pyetje edhe ndërmarrjes publike “Telekomi i Kosovës”, lidhur me këtë çështje. Nuk ka marrë ende përgjigje.

Drejtuesit e “Telekomit të Kosovës”, shpeshherë kanë deklaruar se ndërmarrja nuk ka para për të paguar borxhin ndaj ish-partnerit “Dardafone”.

Megjithatë, kompania private ka kërkuar që të caktohet përmbarim i dhunshëm ndaj Telekomit, që nënkupton se në rast se nuk ka mjete të mjaftueshme financiare në xhirollogarinë e Telekomit, atëherë pagesa do të ekzekutohet përmes mjeteve financiare nga shitja e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme të Telekomit./ Insajderi.com