Telekomi pranë falimentimit – Ministria e Valdrin Llukës i përdorë shërbimet e konkurrentëve të PTK-së

Telekomi pranë falimentimit – Ministria e Valdrin Llukës i përdorë shërbimet e konkurrentëve të PTK-së

Ministria e Zhvillimit Ekonomik me në krye ministrin Valdrin Lluka po i shfrytëzon shërbimet e konkurrentëve të PTK-së, përderisa Telekomi është pranë falimentimit, shkruan Insajderi.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor për gjendjen në Vala dhe PTK, kryetarja e bordit të Telekomit, Besa Shatri – Berisha ka thënë se Ministria e Llukës, megjithëse është aksionare e PTK-së, po i shfrytëzon shërbimet e konkurrentëve të Telekomit.

“Telekomi është në rënie; investime nuk ka [..] Ministria e Zhvillimit Ekonomik është aksionar i yni dhe i shfrytëzon shërbimet e konkurrentëve tanë. Është e palogjikshme që institucionet tona shfrytëzojnë shërbimet e konkurrentëve tanë”, ka thënë ajo.

Ministri i MZhE-së, Valdrin Lluka, shumë herë është shprehur “i brengosur” për këtë gjendje të Postës.

Para 2 muajsh, Lluka kishte thënë në televizionin publik se Telekomi mund të falimentojë menjëherë për shkak të borxheve.

“Qëndrimi i Telekomit është shumë i vështirë, dhe do të vijë koha që situata do të vështirësohet edhe më shumë, sidomos kur është çështja e borxhit që e ka Telekomi. Kjo e çon në falimentim të menjëhershëm”, kishte thënë ai në RTK.

Sipas Llukës, duke e parë situatën në të cilën është Telekomi, privatizimi i tij është i domosdoshëm.

“Duke parë këtë situatë, mendoj që një privatizim është i domosdoshëm”, kishte thënë Lluka.

Për ministrin Lluka ishte ankuar edhe Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës.

Sipas Bordit të Telekomit, ministri Lluka nuk ishte treguar bashkëpunues me ta.

“Ne në vazhdimësi kemi kërkuar bashkëpunim prej ministrit Lluka, por përveç që nuk është përgjigjur pozitivisht, për më tepër nuk na ka njoftuar zyrtarisht për shumë çështje, të cilat janë të rëndësishme për Bordin dhe kompaninë në tërësi dhe kanë ndikim në vendimmarrjen e drejtë dhe në interes të Telekomit të Kosovës. Deklaratat e ministrit Valdrin Lluka, përveç tjerash po e dëmtojnë afarizmin e kompanisë duke ndikuar në uljen e satisfaksionit të konsumatorëve dhe dyshojmë që këto deklarata mund të jenë të lidhura edhe me procesin e privatizimit, të cilin ministri Valdrin Lluka e ka paralajmëruar”, shkruhej në deklaratën e Bordit të Telekomit. /Insajderi.com