Tensione në koalicion për postin e Presidentit para takimit të së hënës

Tensione në koalicion për postin e Presidentit para takimit të së hënës

Edhe pse takimi i cili pritej të ndodhte sot midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe liderëve të partive tjera politike në vend, do të zhvillohet gjatë së hënës, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka bërë të ditur se në këtë takim me Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn do të diskutohet për bashkëqeverisje dhe jo për tema të tjera, siç është pozita e presidentit.

Mustafa dje kishte thënë për Express se lidhur me çështjen e Presidentit nuk është biseduar as brenda organeve të partisë dhe se nuk është as pjesë e marrëveshjes së koalicionit qeverisës.

“Çështjen e Presidentit nuk e kemi pjesë të marrëveshjes së koalicionit qeverisës. Është një çështje komplekse, e cila hapet në rrethana të sfidimit me mandatin kushtetues. Këtë çështje nuk e kemi diskutuar as në organet e LDK-së”, ka deklaruar Mustafa për gazetën.

Ndërsa, ish-kryeministri Haradinaj, thekson se partia në të cilën ai udhëheq është para dy zgjidhjeve.

Në këtë mënyrë, ai e ka vënë LDK’në para vendosjes nëse duan rrëzimin e Avdullah Hotit nga Qeveria, ende pa i bërë një vit në këtë post apo ta votojnë Haradinaj për president, në mënyrë që të mos ndodhë një skenar i tillë.

“Aleanca është para dy zgjidhjeve, të dyja shumë të vështira. E para është që të vazhdojë të jetë pjesë e pushtetit dhe e vendimmarrjes, por ta kushtëzojë me marrjen e një pozicioni vendimmarrës të presidentit edhe ajo është logjika pse Këshilli Drejtues i AAK-së më ka dhënë autorizim të negociojë edhe për çështjen e presidentit, me qëllim që ne të mos përjashtohemi nga tavolina e marrjes së vendimeve. Pra, ne nuk rrisim pushtet me marrjen e presidentit, por ne vetëm ruajmë mundësinë e të qenit në tavolinë aty ku merren vendimet”, ka deklaruar kreu i AAK’së.

Vetë Haradinaj thotë se LDK’ja nuk kanë ambicie për ta marrë presidentin, ani pse Mustafa ishte shprehur qysh herët i gatshëm që të bëhet president. /Insajderi.com