Ndonëse i kishte kundërshtuar vendimet e qeverisë së kaluar për mbulimin e shpenzimeve të rrymës nga katër komunat veriore, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti është duke e shqyrtuar seriozisht mundësinë e ndarjes së mjeteve financiare për këtë çështje.
Ministria e Financave dhe Transfereve ka mohuar t’i ketë ndarë 15 milionë euro për mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike nga qytetarët serbë të veriut, në një tentim për të arsyetuar ndarjen e paralajmëruar të mjeteve financiare për të njëjtën çështje.
Insajderi raportoi të enjten se Ministria e Financave dhe Transfereve, me buxhetin e ri i cili pritet të miratohet në javët e ardhshme, ka marrë vendim që t’i ndajë 15 milionë euro për serbët e veriut të Kosovës të cilët nuk e paguajnë rrymën e shpenzuar.
Një ditë më vonë Ministria e Financave dhe Transfereve, e udhëhequr nga Besnik Bislimi, e ka quajtur të pavërtetë lajmin e Insajderit.
Përmes një njoftimi për media, Ministria ka thënë se nuk ka ndarë mjete financiare për shpenzimin e energjisë elektrike në veri të vendit.
“Ministria e Financave dhe Transfereve njofton publikun se nuk është i vërtetë lajmi, i cili po qarkullon nëpër disa portale kosovare, rreth ndarjes së shumës prej 15 milionë euro nga Qeveria e Kosovës për të mbuluar shpenzimin e rrymës në veri të Kosovës”, nënvizon Ministria e Financave.
Megjithatë, një paragraf më poshtë të njoftimit, Ministria e Financave dhe Transfereve ka konfirmuar se është duke shqyrtuar ndarjen e mjeteve financiare për hequr koston e shpenzimeve të rrymës nga qytetarët serbë të veriut.
Ministria ka nënvizuar se është duke e konsideruar ndarjen e mjeteve financiare për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), në mënyrë që kjo ndërmarrje publike të paguajë energjinë elektrike të papaguar të qytetarëve të veriut.
“Për korrektësi ndaj publikut, Ministria e Financave dhe Transfereve gjatë procesit të draftimit të buxhetit për vitin 2020 është duke shqyrtuar mundësinë e përkrahjes buxhetore të KOSTT-it”, konfirmon Ministria e Financave dhe Transfereve.
Banorët e katër komunave në veri të Kosovës, që nga viti 1999, pas përfundimit të luftës nuk kanë paguar faturat e shpenzuar të energjisë elektrike, kurse këto borxhe deri në fund të vitit 2017 janë faturuar qytetarëve nga viset tjera të Kosovës.
Mirëpo, pas një vendimi të Gjykatës se Apelit të Kosovës më 2017 për të hequr koston e furnizimit të veriut nga faturat e energjisë elektrike të konsumatorët e pjesëve tjera, KOSTT-i është ballafaquar vazhdimisht me mungesë të mjeteve financiare shkaku i kësaj çështje.
Ky problem ndërlidhet edhe me moszbatimin e marrëveshjes për energjinë, të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, i cili parasheh pavarësimin e KOSTT-it nga Operatori i Sistemit të Serbisë (EMS) – në mënyrë që të dy këta operatorë të transmisionit të fillojnë operimin si dy zona rregulluese të pavarura.
Moszbatimi i marrëveshjes e nga pala serbe (EMS) detyron KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve për furnizim me energji elektrike në komunat veriore të Kosovës, në mënyrë që ky problem të mos vazhdojë të shkaktojë devijime ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (ENTSO-E).
Edhe Ministria e Financave dhe Transfereve në komunikatën e saj e thotë të njëjtën gjë. Kësisoj, qeveria paralajmëron ndarjen e mjeteve financiare për pagesën e rrymës në veri.
“Kjo ndarje buxhetore do të siguronte që sistemi elektro-energjetik i Kosovës të mos shkaktoj devijime ndaj sistemit evropian, gjë që është parakusht për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kyçjes ndërmjet KOSTT dhe ENTSO-E, përkatësisht pavarësimin energjetik të Kosovës nga Serbia”, thuhet në komunikatë.
Dy vjet më parë, më 2018, edhe qeveria e kaluar, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj kishte ndarë një milion euro për KOSTT-in lidhur me mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike nga katër komunat veriore.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 8 milionë euro në vit, apo nëse llogaritet që nga përfundimi i luftës, janë rreth 140 milionë euro, që qytetarët e këtyre pjesëve kanë shpenzuar, kurse këtë vlerë e kanë paguar konsumatorët e pjesëve tjera të Kosovë.
Gjithë këto veprime Albin Kurti i pa si të padrejta vetëm para dy javësh, pak ditë pasi mori pozitën e kryeministrit.
“Ne besojmë se është e padrejtë një gjë e tillë. Ka një dështim të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës edhe në këtë aspekt”, u shpreh Kurti. “Duhet ta shqyrtojmë me ministra tonë, posaçërisht ata që e kanë në portofolin e tyre energjinë. Që ta marrim një vendim që është sa më i drejt dhe sa më i dobishëm”.
Mirëpo, në më pak se dy javë, qeveria Kurti ka ndryshuar mendje.
Është duke e shqyrtuar seriozisht mundësinë e ndarjes së mjeteve financiare nga buxheti i Kosovës për të mbuluar shpenzimet e energjisë elektrike nga qytetarët serbë të veriut. /Insajderi.com