Tentoi të hidhej nga kulmi i Klinikës së Psikiatrisë, Policia arrin ta parandalojë 27-vjeçarin

Tentoi të hidhej nga kulmi i Klinikës së Psikiatrisë, Policia arrin ta parandalojë 27-vjeçarin

Policia së bashku me zjarrëfikësit dhe ekipet tjera emergente, kanë arritur që të parandalojnë një person të kërcejë nga kulmi i Klinikës Psikiatrike, njofton Insajderi.

Kështu është bërë e ditur në një komunikatë për media nga policia, ku thuhet se rasti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm.

“Zyrtarët policorë gjatë tërë kohës përmes veprimeve dhe komunikimeve mjaft profesionale për rrethanat e ngjarjes janë përpjekur ta qetësojnë personin në fjalë në mënyrë që ta shmangin incidentin dhe për një çast është arritur të kapet personi, mirëpo gjatë përpjekjeve për ta kapur, personi në fjalë tashmë i dyshuari mashkull/kosovar (viti i lindjes 1993) ka filluar të përdorë dhunë të vazhdueshme dhe duke sulmuar zyrtarët policorë. Megjithatë, falë përpjekjeve dhe vendosmërisë së zyrtarëve, i dyshuari është vënë nën kontroll dhe me ndihmën e zjarrfikësve është arrit zbritja e tij në tokë, përderisa i njëjti menjëherë iu është nënshtruar trajtimeve mjekësore në klinikën psikiatrike”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë këtij intervenimi për ta parandaluar personin në fjalë të kërcejë nga ndërtesa dhe ballafaqimit me të, lëndime trupore kanë marr tre zyrtarë policorë, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor në emergjencë.

Lidhur me rastin janë intervistuar edhe disa dëshmitarë dhe në konsultim me prokurorin janë ndërmarr veprimet e nevojshme për inicimin e procedurave të rastit. /Insajderi.com