Një person është arrestuar në pikën e Kalimit Kufitar në Vermicë, nën dyshimin për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, njofton Insajderi.
Ngjarja ka ndodhur të martën e 6 prillit, rreth orës 17:48.
Policia njofton se ka kontrolluar veturën e të dyshuarit, në të cilën ishin katër persona.
“Gjatë kontrollimit dhe regjistrimit të dokumentave të personave dhe automjetit, në dokumentet që i janë prezantuar Policisë Kufitare, kishte të futur një kartëmonedhë prej 50 euro. Zyrtari policor i ka kërkuar personit të dijë pse janë këto të holla në dokumente, pasagjeri në ulësen e parë është përgjigjur se ‘këto të holla i ka vendosur pasi që kishte ndalesë për të hyrë në Republikën e Kosovës dhe me to t’i mundësohet hyrja’”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, siç thuhet në njoftim, gjatë kontrollit në sistemin e të dhënave të Policisë Kufitare është vërejtur që personi E.R, viti i lindjes, 1986, kishte ndalesë hyrje për pesë vite në Republikën e Kosovës.
“I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Vërmicë, është njoftuar prokurori kujdestar dhe është hapur rasti ‘Dhënie e ryshfetit personit zyrtar’”.
Personi i dyshuar është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Prizren. /Insajderi.com