Shfrytëzimi i virusit Corona si justifikim për të diskriminuar vjen pas një fushate të sponsorizuar nga shteti që synon t’i kthejë mus" />

Teoritë konspirative mbi Covid-19 vënë në shënjestër muslimanët në Indi

Shkruan: Hannah Ellis-Petersen dhe Shaikh Azizur Rahman

Teoritë konspirative mbi Covid-19 vënë në shënjestër muslimanët në Indi

Shfrytëzimi i virusit Corona si justifikim për të diskriminuar vjen pas një fushate të sponsorizuar nga shteti që synon t’i kthejë muslimanët në qytetarë të dorës së dytë në Indi. Kjo është pjesë e axhendës së BJP-së e frymëzuar nga nacionalizmi hindu.

Personi që rrahu Mehbon Aliun nuk tregoi fare mëshirë. Pasi e tërhoqën zvarrë në një arë në fshatin Hareuali, në skajet jug-perëndimore te Delhit, turma e goditi atë me shkopinj dhe këpucë deri sa filloi t’i dilte gjak nga hundët dhe veshët. Aliu ishte musliman dhe sapo ishte kthyer në shtëpi nga një tubim fetar. Banda hindu ishte pothuajse e sigurtë se ai ishte pjesë e një të ashtuquajturi komplot islamik për të përhapur virusin Corona te hindutë në mbarë vendin. Agresorët e tij ishin të bindur se besimtari 22-vjeçar duhej të ndëshkohej para se të arrinte të kryente “xhihadin koronar”.

Akuzat ishin krejtësisht të rreme. Por sipas një videoje dhe familjarëve të tij, burri që rrahu Aliun me 5 prill nuk kishte asnjë dyshim se ai ishte fajtor duke i kërkuar atij: “Na trego kush është tjetër pas këtij konspiracioni”. Më pas Aliun u çua në një tempull hindu ku iu kërkua që të hiqte dorë nga Islami e të konvertohej në hindu përpara se ta lejonin të shkonte në spital.

Pesë ditë pas sulmit, familja e Aliut akoma ka frikë se edhe ata do të akuzohen për përhapjen e virusit. “Nëse ngremë padi në polici, hindutë nuk do të na lejojnë të jetojmë në fshat,” tha një anëtar i familjes, i cili kërkoi të mos i përmendej emri. Policia konfirmoi se për shkak të pesëmarrjes së tij në një tubim islam në Bhopal para disa javësh, Aliu po mbahej në repartin e izolimit në spitalin Lok Nayak Jai Prakash në Delhi si i “dyshuar me virus,” kjo pavarësisht se ai nuk kishte simptoma.

Sulmi që u krye ndaj Aliu është simptomë e rritjes së demonizimit ndaj komunitetit të muslimanëve në Indi, të cilët po akuzohen, pa asnjë provë, se janë duke çuar përpara një fushatë keqdashëse për të përhapur Covid-19 te shumica hindu.

Prej kohësh një minoritet nën sulme të vazhdueshme – kanë kaluar vetëm pak javë që kur bandat hindu patën sulmuar muslimanët gjatë protestave fetare në Delhi – muslimanët sot po shohin se si bizneset e tyre në tërë Indinë po bojkotohen. Ndërsa vullnetarët që shpërndajnë racione janë quajtur “terroristë të virusit Corona” dhe janë akuzuar se pështyjnë në ushqim dhe infektojnë me virus furnizimet me ujë. Madje, janë shfaqur postera që ndalojnë muslimanët të hyjnë në disa lagje në qytete aq larg sa Delhi, Karnataka, Telangana dhe Madhya Pradesh.

Problemet filluan kur tubimi i një organizate misionare islame, Xhemati Tablig, që u mbajt në mes të marsit në jug të Delhit në lagjen Nizamuddin, u etiketua nga policia dhe qeveria si përgjegjësse për përhapjen e virusit Corona në të gjithë Indinë. Në tubim, të cilit i ishte dhënë leja nga vetë autoritetet e Delhit, morën pjesë rreth 8 mijë vetë, përfshirë qindra të huaj. Shumë shpejt u bë e qartë se shumë prej të pranishmëve në tubim kishin qenë mbartës të Covid-19 pa e ditur, e që më pas e kishin përhapur në qytete dhe fshatra në Indi.

Në mbarë vendin, policia u urdhërua që të gjurmonte këdo që kishte lidhje me organizatën. Deri tani, mbi 27 anëtarë të Xhematit Tablig dhe kontaktet e tyre janë vënë në karantinë në rreth 15 qytete. Në Uttar Pradesh, policia ofroi deri në 10 mijë rupee (15 mijë lekë të reja) për informacionë mbi këdo që ka marrë pjesë në tubim.

Në një deklaratë të dhënë këtë javë, grupi i shkencëtarëve indianë për emergjencën e Covid-19 tha se të dhënat në dispozision nuk e mbështesin spekulimin sipas të cilit faji për epideminë e virusit Corona në Indi është kryesisht për fajin e Xhematit Tablig. Shkencëtarët theksuan se ndonëse testimet për virusin Corona në Indi janë jashtëzakonisht të ulta, një numbër i lartë i lartë i tyre testeve janë bërë mbi Xhematin tablig. Kjo me urdhër të qeverisë. Duke manipuluar kështu të dhënat.

Rezultatet e testeve u morën nga anëtarët e partisë hindu në pushtet (Bharatiya Janata Party – BJP), të cilët pretenduan se anëtarët e Xhematit Tablig kishin dashur të infektonin miliona vetë si pjesë e një komploti islamik, prandaj dhe po kryenin “terrorizëm koronar.”

Drejtuesit e BJP-së akuzuan Xhematin Tablig se po kryenin një “krim talebanësh” dhe i përshkroi anëtarët e tij si “bomba njerëzore, por nën petkun e virusit Corona”. Po ashtu ai bëri thirrje që drejtuesit e Xhematit Tablig të varen e të qellohen. Kapil Mishra, lider lokal i BJP-së, i njohur për gjuhën e urrejtjes, shkroi në Twitter: “Njerëzit e Xhemati Tablig kanë filluar të pështyjnë doktorët dhe punonjësit e shëndetit. Është e qartë se qëllimi i tyre është të infektojnë sa më shumë njereëz të jetë e mundur me virusin Corona e t’i vrasin ata.”

Ndonëse u hodhën poshtë menjëherë, zërat se anëtarë të Xhematit Tablig po refuzonin të futeshin në karantinë, se po sulmonin stafin e spitalit dhe se po hidhnin shishe me urinë ndaj hinduve u përhapën shumë shpejt.

Hashtagët në Twitter të tilla si “coronajihad”, “CoronaTerrorism” dhe “CoronaBombsTablighi” u kthyen në trend në Indi. Mediat mainstream në Indi pohuan se anëtarët e Xhematit Tablig ishin “superpërhapës” të virusit Corona.

Dr. Zafarul-Islam Khan, kryetar i Kimisionit për Minoritetet në Delhi, tha se pavarësisht se Xhemati Tablig është treguar dritëshkurtër duke mbajtur një tubim, ata nuk kanë qenë të vetmit pasi ka pasur me dhjetëra shembuj të tjerë, përfshirë qeverinë, partitë politike dhe grupe të tjera fetare të cilat po ashtu i kanë neglizhuar kufizimet në lidhje me virusin Corona dhe janë mbledhur në grupe të mëdha.

Ai shtoi: “Pavarësisht kësaj, e gjithë vemendja po fokusohet vetëm te muslimanët. Në dy ditët e fundit, kemi vënë rë një valë të re sulmesh ndaj muslimanëve në të gjithë vendin. Po flitet për bojkot shoqëror ndaj muslimanëve, ngacmime nga grupe hindu dhe për muslimanë që po ngacmohen nga policia në zona të ndryshme.”

Ka pasur një përqendrim sulmesh kundër muslimanëve në Karnataka, ku një deputet i BJP-së, Anant Kumar Dedge, e kishte quajtur Xhematin Tablig terrorist. Menjëherë pas kësaj, një regjistrim audio filloi të shpërndahej gjerësisht nëpër grupe WhatApp-i ku u kërkohej njerëzve që të mos lejonin shitësit musliman të fruta-perimeve që të shisnin në atë zonë, duke pretenduar se ata përhapin virusin me anë të produkteve të tyre.

Sayed Tabrez, 23 vjeç, dhe e ëma, Zareen Taj, 39 vjeç, ishin ndër vullnetarët e shumtë muslimanë që u sulmuan nga një bandë lokale e anëtarëve të BJP-së më 4 dhe 6 prill teksa po përpiqeshin të shpërndanin ushqim te popullsia e varfër në Marathahalli dhe Dasarahalli në rajonin e Karnataka-s.

Ky nuk është një incident i izoluar. Manohar Elavarthy i OJQ-së Swaraj Abhiyan, që ka shpërndarë racione ne zona të bllokuara tha se me dhjetëra sulme janë kryer kundër vullnetarëve të tij muslimanë gjatë ditëve të fundit, përfshirë sulme nga disa policë.

Këtë javë në Mangalore filluan të shfaqeshin disa postera ku thuhet se muslimanët nuk lejohen më në disa lagje. “Asnjë tregëtar musliman nuk do të lejohet në qytetin tonë derisa virusi Corona të jetë larguar komplet,” thuhet në një shënim në Alape. Në fshatin Ankanahalli me shumicë hindu, në një video shihet kryeplaku i fshatit që paralajmëron nëse ndonjë hindu në fshat kapet duke u shoqëruar me ndonjë musliman “do të gjobitet nga 500 deri në 1000 rupee.”

Shfrytëzimi i virusit Corona si justifikim për të diskriminuar vjen pas një fushate të sponsorizuar nga shteti që synon t’i kthejë muslimanët në qytetarë të dorës së dytë në Indi. Kjo është pjesë e axhendës së BJP-së e frymëzuar nga nacionalizmi hindu. Sulmet ndaj muslimanëve janë bërë të zakonshme. Projektligji i fundit mbi nënshtetësinë, i miratuar nga BJP në dhjetor (2019) detyroi miliona njerëz që të dalin në rrugë për të protestuar, duke e parë këtë si diskriminim kundër muslimanëve.

Situata u përkeqësua aq shumë sa javën e kaluar detyroi Equality Lab, një organizatë për të drejtat e njeriut me bazë në Amerikë që merret me kërkimet mbi gjuhën e urrejtjes islamofobe, që të lëshojë një deklaratë ku i kërkohej Organizatës Botërore të Shëndetësisë që të “hartonte udhëzime të mëtejshme kundër gjuhës së urrejtjes të lidhur me Covid-19 e të sqaronte se nuk ka lidhje me komunitetet fetare.”

“Vetëm pak javë pas sulmit të Delhit ku me dhjetëra shtëpi dhe dyqane muslimanësh u vandalizuan, një rritje e keqinformimit dhe gjuhës së dëmshme në komunikim po çon në dhunë,” tha drejtori ekzekutiv i Equality Lab, Thenmozhi Soundararajan. “Kërcënimi i një sulmi tjetër është akoma i mundur”.