Tërheqja e 10% – “mashtrimi i madh që çon në pabarazi”, apo jo?

Tërheqja e 10% – “mashtrimi i madh që çon në pabarazi”, apo jo?

104 mijë e 137 qytetarë do të përfitojnë më së shumti 100 euro nga mundësia e tërheqjes së dhjetë për qind të kursimeve pensionale.

Bazuar në këtë statistikë tërheqja e trustit si njëra nga politikat kryesore të Rimëkëmbjes shihet me skepticizëm për zbutje të krizës financiare për kategoritë që nuk janë klasë pasanike.

Politikën qeveritare për trustin deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani e sheh si “shkaktar për më shumë pabarazi sociale”, “anti-kushtetuese” e “mashtrim të madh për qytetarët”.

“Mashtrimi i madh që po bëhet me tërheqjen e 10% të kursimeve personale, përveç dëmeve që do të shkakton në të ardhmen për secilin person, krijon pabarazi sociale dhe nuk ofron zgjidhje”, tha ai për Gazetën Online Insajderi.com

“Pasojat e së ardhmes” nga tërheqja e dhjetë për qind të kursimeve pensionale të cilat i theksoi deputeti ishin përmendur edhe nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, më 3 shtator të këtij viti.

Ai gjatë një bisede virtuale me profesorin, Ha-Joon Chang, nga Universiteti Cambridge në Mbretërinë e Bashkuar, kishte cituar ligjëruesin britanik se praktika e tërheqjes së parakohshme të kursimeve dëmton gjeneratat e ardhshme.

“Ky propozim është po aq i rrezikshëm sa është edhe i pakuptimtë. Sipas vlerësimit të tij, një politikë e tillë jo vetëm se do të dështojë të ndihmonte pikërisht ata qytetarë që kanë më së shumti nevojë për mbështetje në këtë kohë pandemie, por edhe do t’i rrezikonte seriozisht kursimet pensionale të brezave të ardhshëm”, kishte shkruar Kurti në Facebook.

Por, mjetet e hyra në ekonomi nuk janë të rrezikshme e as të pakuptimta për ekonomistin, Fadil Hoxha.

Ai në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, tha se paratë e mundësuara për të operuar në ekonomi nga mundësia e tërheqjes së trustit pensional do të ndikojnë në konsum.

Njohësi i politikave ekonomike deklaroi se konsumi është njëra ndër elementet kryesore që ndikojnë në stabilitetin ekonomik e që e rrit kërkesën agregate.

“Është e qartë që mjetet e tërhequra do të shkojnë direkt në konsum, duke ndikuar drejtpërdrejtë në rritje të kërkesës agregate për shumën që shkon në konsum, ndërsa një pjesë e vogël do të shkojë në investime dhe shpenzime qeveritare”

Potenciali për konsum mund të vërehet në tabelën e publikuar nga Trusti Pensional, aty shihet se 12.944 qytetarë mund të tërheqin nga 20.000 euro. 40.440 kontribuues në Trust mund të kenë 10 mijë deri 20 mijë euro më shumë nga mundësia e tërheqjes së mjeteve financiare. Ndërsa 74.008 të tjerë mund të tërheqin deri në 10 mijë euro.

“Efektet ekonomike mund të priten që të jenë pozitive meqë këto mjete që do të tërhiqen nuk ishin në qarkullim në ekonominë e Kosovës andaj futja e tyre në qarkullim është një infuzion i freskët financiar që do të zbusë sadopak efektet negative të mbylljes së ekonomisë që u pasua me rënie të theksuar ekonomike në këtë vit”, tha ai.

Hoxha përmendi “Prirjen margjinale për të konsumuar”, duke shtuar se “Efekti i plotë i këtyre mjeteve do të varet nga sasia totale e mjeteve të tërhequra”.

E për mirësitë e konsumit e efektet negative të kursimeve në ekonominë kombëtare pajtohen edhe dy ekonomistët me divergjenca të thella mes vete, John Maynard Keynes dhe Friedrich Hayek.

 

Si erdhi deri te Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike?

Më 4 dhjetor, 72 deputetë ngritën duart për t’ia hapur rrugën idesë së propozuar nga Qeveria të Rimëkëmbjes Ekonomike.

Në këto rrethana të jashtëzakonshme bazuar në nenin 12A të ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike – qytetarët mund t’i tërheqin dhjetë për qind të kursimeve të tyre pensionale, me rastin e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia. Tash!

Aplikimi online sipas njoftimit të Trustit Pensional do të jetë i hapur nga e premtja e 11 dhjetorit dhe mjetet financiare në xhirollogaritë bankare pritet të jenë në dispozicion të trust-marrëseve para 24 dhjetorit.

Tërheqja e kursimeve si pjesë e Rimëkëmbjes Ekonomike që tash është realitet, hasi në rrugë të gjatë e të vështirë që të kalohet me sukses në Parlamentin e Kosovës

Ishte domosdoshmëri që Qeveria dhe Partia Demokratike e Kosovës si opozitë të pajtohen që projektligji është dobiprurës për ekonominë e duhet t’i jepet drita jeshile nga salla kryesore e demokracisë./Insajderi.com