Tërmkolli: Isa Mustafa ka qëndruar tepër si kryetar i LDK-së

Tërmkolli: Isa Mustafa ka qëndruar tepër si kryetar i LDK-së

Melihate Tërmkolli, një nga delegatet në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së, ka thënë se më 3 gusht duhet që kryetari aktual i kësaj partie, Isa Mustafa, të lëshojë rrugë dhe udhëheqjen ta marrë dikush tjetër.

Sipas saj, Mustafa ka qëndruar tepër aty. Madje, Tërmkolli ka thënë se Mustafa s’ka qenë kurrë pjesë e konceptit të LDK-së.

“E kam bërë të qartë. Për kaq vite sa është, ka qenë tepër. Tash është koha për ndryshim. Duhet të lëshojë rrugë. Jo veç për arsyet që s’ka qenë asnjëherë LDK, s’është ende LDK. LDK-ja ka krijuar koncept kombëtar të cilit natyrshëm ju kanë bashkëngjit mbi 90 për qind e qytetarëve dhe një elitë që e vazhdoi. Për fat jo të mirë, por kryetari aktual s’ishte pjesë e këtij koncepti e s’ka mundur t’i bashkohet asnjëherë”, ka thënë Tërmkolli.

Ajo ka shtuar se nuk do të votojë pro Mustafës për një mandat të ri, edhe nëse ai do të jetë kandidati i vetëm.

Sipas saj, çdokush që fiton këto zgjedhje, punën e parë që duhet ta bëjë është “heqja e komandantëve nga pushteti”.

E pyetur se kë do të përkrahte në zgjedhjet e 3 gushtit, ajo ka thënë se vetëm njërin s’do ta votonte, e që është Isa Mustafa. Por, ka pasur fjalë të mira për ish-kryetarin Fatmir Sejdiu për të cilin tha se do ta votonte.