Tërmkolli – Vetëvendosjes: Në Uashington kurrë nuk është bërë marrëveshje e keqe për Kosovën

Tërmkolli – Vetëvendosjes: Në Uashington kurrë nuk është bërë marrëveshje e keqe për Kosovën

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka reaguar ndaj partisë më të madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, meqë këta të fundit kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në takimin virtual të liderëve, që ka të bëjë me dialogun Kosovë-Serbi, njofton Insajderi.

Përmes një postimi në Facebook, Tërmkolli ka thënë se në Uashington asnjëherë nuk është bërë marrëveshje siç e ka quajtur ajo, e keqe për Kosovën.

Sipas saj, shqiptarët në SHBA nuk kanë punuar për liderë, por kanë dhënë dhe japin gjithçka për vendin e tyre.

“Ore ‘bylbylat’ e VV-së! Në Ëashington kurrë nuk është bërë marrëveshje e keqe për Kosovën! Shqiptarët në SHBA nuk kanë punuar për liderë por kanë dhënë e po japin ende gjithçka për shtetin e popullin e Kosovës”, ka shkruar Tërmkolli.

Ajo ka kritikuar Vetëvendosjen duke iu drejtuar se vetëm ju e “keni ndarë” Amerikën në të majtë e të djathtë, teksa thotë se tani doni ti ndani edhe shqiptarët atje.

“Vetëm ju e ‘ndatë’ Amerikën në të majtë e të djathtë duke e konsideruar të djathtën armiqësore ndaj Kosovës. Tani doni t’i ndani edhe shqiptarët atje! Mjaft e dëmtuat këtë vend! Tani edhe po e turpëroni! Ju e dini”, ka shkruar tutje ajo. /Insajderi.com