Ish-zyrtarja e lartë e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka kritikuar ish-bashkëpartiakët e saj, të cilët së fundmi kritikuan kryeministrit Albin Kurti për paraqitjen e së martës në dialog me Serbinë, shkruan Insajderi.
Tërmkolli ka thënë se “nga takimi i djeshëm me Vuçiqin, Kryeministri Kurti është i vetmi politikan deri tani që nga 2011 që bëri prezantimin dhe performancën më dinjitoze për Kosovën. Tutje çfarë do të bëhet, mbetet të shihet. Këtu jemi!”, ka përfunduar ajo.
Më tej, ajo duke iu referuar të gjithëve që ishin pjesë e dialogut me Serbinë që nga viti 2011, ka thënë se që të mos flasin asnjë fjalë, pasi që sipas saj janë vetë ata që “e kanë sjellë Serbinë në Kosovë”.
“Futeni kokën nën dhe për turpet që i keni bërë në bisedimet e deritanishme. Nuk keni asnjë të drejtë morale, politike as kombëtare të kritikoni sot Kryeministrin për takimin e djeshëm. Me ‘profesionalizmin’ e juaj, me ‘atdhetarizmin’ e juaj dhe me ‘politikën’ e juaj e keni sjellë Serbinë në Kosovë me katër këmbët”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se “pa fije turpi jeni duke tentuar të shiteni si patriota”.
Sot, pa fije turpi, tentoni të shiteni edhe si patriotë e politikanë. Veç mbylleni, ju lutem! Nëse mund të ndihmoni diçka të re në këtë proces, natyrisht bëjeni, ndërsa çka keni bërë e sa keni bërë deri tani e dimë të gjithë. Smira e vogëlsia e shpirtit e mendjes suaj, jo vetëm që ju bën edhe më të vegjël, por po ju bën edhe qesharakë”, ka deklaruar ajo./Insajderi.com