Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla, ka deklaruar se kjo organizatë nuk rekomandon teste serologjike për ndonjë qëllim tjetër përveç për të studiuar reagimin imunitar.
Nga e hëna në kryeqytet kanë filluar testimet serologjike për Covid-19, të cilat po bëhen në “Qendrën e Studentëve”, derisa prioritet janë grupet më të rrezikuara me simptoma dhe ata me sëmundje kronike.
Se si po shkon procedura e këtij testimi ka treguar drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, i cili tha se gjatë ditës do të testohen 50 qytetarë të cilët do të përcaktohen nga mjekët për testim dhe jo ata të cilët me vetëdëshirën e tyre mundohen të dinë nëse e kanë virusin Corona ose jo.
“Të gjithë qytetarët që do të vizitojnë qendrat familjare, do të jetë në kompetencën e mjekut familjar nëse do të jetë e nevojshme që të realizohet ky test për qytetarin apo jo. Testet nuk do të kryhen me vetë dëshirën e qytetarëve, për të hequr merakun nëse e kanë pasur virusin apo jo”, ka thënë ai.
Gashi tutje theksoi se testet serologjike janë për çështje hulumtimi në lidhje me atë se: A janë krijuar antitrupa në organizmin e njeriut?
“D.m.th këto janë teste serologjike të cilat tregojnë për antitrupat e krijuar në organizimin e njeriut dhe nuk është çështje dëshire. Kjo është për çështje hulumtimi”, është shprehur ai.
Mirëpo, çka janë testet serologjike dhe a përdoren për të diagnostikuar infeksionin me Covid-19?
Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skënder Syla, ka deklaruar se kjo organizatë nuk rekomandon teste serologjike për ndonjë qëllim tjetër përveç për të studiuar reagimin imunitar.
I pyetur nga Gazeta Online Insajderi nëse si metodë, testimi serologjik është më i saktë, Syla është përgjigjur me një manual të kësaj organizate, ku tregohen detaje në lidhje me këtë testim që ka marrë hov në Prishtinë.
Ndërkaq, në manualin e dërguar nga ai, thuhet se këto teste nuk mund të përdoren për të diagnostikuar sëmundjen Covid-19, por matin përgjigjen e antitrupave në një individ, që nënkupton se prania e antitrupave tregon se një person është infektuar me Covid-19, pavarësisht nëse personi i caktuar ka shfaqur probleme ose jo.
“Testimi serologjik zbulon antitrupa kundër virusit, dhe kështu mund të zbulojë nëse një person kishte një infeksion të fundit (IgM) ose të kaluar (IgG) me virusin COVID-19. Testet serologjike nuk mund të përdoren për të diagnostikuar infeksionin akut me virusin COVID-19”, thuhet në këtë udhëzues./Insajderi.com