Teta Gjyli, Axha Shneq dhe një restorant vetëm me gra – Hipokrizia e 8 marsit

Teta Gjyli duron dajak nga Axha Shneq. Axha Shneq e arsyeton dajakun. Teta Gjyli e pranon atë si formë komunikimi. Restoranti i mbushur me gra që kanë rrethuar skenën shkrihet së qeshuri. Të gjitha po inçizojnë pjesë nga ky skeç, si kujtime të kësaj nate. Ato kthehen në shtëpi ku potencialisht mund t'i nënshtrohen dhunës. Restoranti në fitim, e gjithashtu edhe “Stupcat”. Hipokrizi 8 marsi.

Teta Gjyli, Axha Shneq dhe një restorant vetëm me gra – Hipokrizia e 8 marsit

Teta Gjyli (Osman Azemi), Axha Shneqë (Mensur Safqiu) dhe Liki (Vedat Bajrami). Tre personazhet e krijuara nga treshja e aktorëve të komedisë janë ngjitur këtë 8 mars në “skenën” e një restoranti në Drenas për të luajtur në një skeç në një natë të rezervuar enkas për gratë, një traditë kjo tashmë e re e shënimit të Ditës së Grave që gabimisht cilësohet vetëm si “Dita e Nënave”.

Asgjë nuk do të ishte gabim, nëse gratë nuk do të ishin viktima të dhunës në një shoqeri skajmërisht patriarkale ku dhuna arsyetohet në bazë të gjinisë duke iu rezevuar si e drejtë e burrit mbi gruan.

Rrëfimet mbi padrjetësinë ndaj grave që nisin qysh në pronësinë e munguar e deri tek dhuna ndaj tyre që herë është psiqike duke i dhënë gruas vetëm epitetin e riprodhuesit e deri tek dhuna fizike që ka rezultuar shumë herë në vrasje.

Një dhunë e tillë sistematike ndaj gruas në Kosovë e cila ka kaluar edhe në normalitet, ka gjetur natyrshëm vend në diskursin krejtësisht sipërfaqësor të humorit në skenën e komedisë në Kosovë.

Kësisoj, një tragjedi kolektive të cilën shoqëritë e civilizuara e kanë luftuar egër është shndërruar në normalitet në shoqërinë e prapambetur kosovare, saqë përkthimi i kësaj tragjedie në humor është bërë gjëja më e dëshiruar për konsum kulturor ose “entertaiment”.

                                       Foto nga festa e 8 marsit ku kanë performuar “Stupcat”

Teta Gjyli dhe Axha Shneqë dy personazhe të krijuara nga aktorët e komedisë më të njohurit në vend me emrin “Stupcat” janë sinonim i një gruaje që duron në mënyrë konstante dhunën nga burri i cili e sheh normale dhunën ndaj gruas, si formë dënimi, meqënse edhe e ka si pronë të tij.

Në një shtet me drejtësi funksionale, ku dhunuesit do të kapeshin e dënoheshin në bazë të ligjit, skeçet e Teta Gjylit dhe Axhës Shneqë do të ishin një relikt artistik i një humori që përpos që ka vënë në dritë një realitet tragjik nuk ka mundur të krijojë një qasje kritike ndaj tij. Kësisoj, qëllimi i personazheve të tilla shndërrohet në mekanizëm përfitimi material.

Në këtë mënyrë, këto personazhe vazhdojnë të jetojnë si nevojë e një kërkese gati mazohiste të një shoqërie e zhytur në dhunë e cila nuk ballafaqohet me këtë tragjedi por e shijon atë edhe për t’u zbavitur.

                                 Fotografi nga skeçi i Mensur Safçiu (Agja Shneq), Osman Azemi (Teta Gjyle) dhe Vedat Osmani (Liki)

Këtë tendencë e kanë nuhatur edhe biznesmenët e sallave të dasmave të cilët në kohë jashtë sezone, kanë shpikur festën e 8 marsit. Një natë e dedikuar vetëm për gra, të cilat me gratë e familjes, zyrës apo vendit tjetër të punës, festojnë “all inclusive” natën e tyre.

Të shikosh intervistat e tyre dhënë për televizione që përcjellin këto mbrëmje sikur storje lajmesh të gjata, e kupton edhe nivelin e prapambetur të një shoqërie e cila e ka lënë gruan të arrijë në atë stad sa ta festojë ditën kur do të duhej ta ngrinin zërin kundër tragjedisë së tyre.

Shumica e grave të intervistuara në një storie të televizionit “Dasma” flasin për këtë natë sikurse një “natë e madhe”, teksa po shumica e tyre janë pjesë e një shoqërie që kolektivisht ushtron dhunë ndaj grave. Ato potencialisht janë edhe viktima të kësaj dhune.

Mungesa e drejtësisë dhe dështimi për të krijuar një shoqëri normale, e kanë  normalizuar edhe dhunën e kësioj ka lindur festa në ditën e viktimave të dhunës.

Dhe normalizohet fakti që ato gra, shumë lehtë viktima të dhunës të mblidhen në një restorant për të festuar. Normalizohet edhe Teta Gjyli dhe Axha Shneqë.

Ata  vazhdojnë humorin e tyre. Teta Gjyli duron dajak nga Axha Shneqë. Axha Shneqë e arsyeton dajakun. Teta Gjyli e pranon atë si formë komunikimi. Restoranti i mbushur me gra që kanë rrethuar skenën shkrihet së qeshuri. Të gjitha po incizojnë pjesë nga ky skec, si kujtime të kësaj nate. Ato kthehen në shtëpi ku potencialisht mund ti nënshtrohen dhunës. Fitues material është restoranti dhe “Stupcat”. Hipokrizi 8 marsi. /Insajderi.com