Tetë vjet nga themelimi i SKV-së – Albin Kurti jep vlerësime të mëdha

Tetë vjet nga themelimi i SKV-së – Albin Kurti jep vlerësime të mëdha

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka shënuar tetë vjetorin e themelimit të Organizatës Studentore “Studim, Kritike, Veprim”, organizatë e cila është e ngushtë me partinë e Kurtit.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo organizatë për këto tetë vite ka bërë përpjekje që Kosova ta ketë një universitet më cilësor.

Kurti shtoi se kjo gjeneratë do të vazhdojë se ekzistuari nëpër shumë gjenerata, për arsye si tha ai arritjen e synimit për arsimim më të madh.

“Sot është tetë vjetori i krijimit të organizatës studentore “Studim, Kritikë, Veprim”. SKV-ja është krijuar nga studentët aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Përgjatë viteve kjo organizatë është pjesë e përpjekjeve tona shoqërore e qytetare për një universitet më cilësor, por edhe për një pjesëmarrje më të madhe të studentëve në çështjet e shoqërisë dhe të politikës. Me të tilla synime SKV-ja vazhdimisht është dalluar si antipod i organizatave partiake studentore, synimi i të cilave ka qenë populist: lehtësimi i diplomimit dhe rritja e sasisë së votuesve që marrin diploma. Por po ashtu, SKV-ja ka qenë në kontrast edhe me shoqatat e snobëve që vetëquhen elitarë, sepse SKV-ja ka qenë e vazhdon të jetë pjesë e studentëve që vijnë nga shtresat e gjera popullore, dhe aktivitetin e saj emancipues nuk e sheh në kuadër të përbuzjes të popullit të vet, të servilitetit neokolonial. Shtegu i ngushtë mes greminave të populizmit dhe servilizmit, është shtegu i vetëm emancipues. E ajo është rruga e SKV-së, e cila do të vazhdojë edhe në gjeneratat e tjera, me më shumë punë, më shumë aksione e më shumë sukses”, ka shkruar Kurti./Insajderi.com