Një grup studentësh nga Tetova dhe Shkupi, në Sheshin “Iliria” në Tetovë, shpalosën të enjten një ekspozitë me gjenocidet që janë kryer në vise të ndryshme gjatë historisë, e duke përfunduar kështu me atë të fundit që po ndodh në Palestinë, njofton Insajderi.
Kjo është bërë në përkrahje të popullit palestinez të Gazës, dhe me qëllim të sensibilizimit të opinionit mbi atë që po ndodh në Palestinë.
Udhëheqësi i protestës, Arsim Idrizi tha se kjo ekspozitë nuk ka përmbajtje as fetare e as kombëtare, por humane.
“Andaj dhe kemi ekspozuar gjitha gjenocidet nëpër histori, duke filluar me atë të holokaustit ku vetë të dhunuarit janë izraelitët duke vazhduar me Hiroshimën e Nagasakin tjera deri tek kjo e fundit, pra gjenocidi që ndodh në Palestinë”, pohoi Idrizi.
Ekspozita ka qëndruar në shesh për rreth 20 minuta, me ç`rast kalimtarët ka pasur mundësinë ta shohin nga afër atë, por edhe citate të ndryshme si nga Kurani po ashtu edhe nga Bibla për paqen e njerëzimit.
Ekspozita do të pasohet nesër edhe nga një protestë që do organizohet po ashtu në sheshin “Iliria”, pas namazit të xhumasë./Insajderi.com