Partia opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Aleanca për Shqiptarët, ka reaguar pas publikimit të dokumentit se Komuna e Tetovës ka paguar 15 mijë euro për tre muaj, një avokat për shërbime juridike të Komunës.
Zyrtari i kësaj partie Muzafer Etemi, ftoi kryetaren e Komunës së Tetovës Teuta Arifi që të del publikisht dhe të sqarojë këtë skandal dhe tua tregojë qytetarëve të gjitha detajet për të vërtetën e këtij rasti, raporton Insajderi.
Ai tha se tetovarët meritojnë të dijnë se ku dhe si harxhohen paratë e tyre, veçanërisht në një kohë pandemie kur të gjithë përballen me krizë të rënduar ekonomike.
“Komuna jonë e dashur paguan avokatin 15 mijë euro për tre muaj, ndërsa nuk paguan kontributet dhjetëra punëtorëve të ndërmarrjes publike të qytetit e shpesh herë duke ua vonuar edhe pagat mujore. Kërkojmë nga komuna e Tetovës dhe kryetarja Teuta Arifi që sa më parë të deklarohet sa më parë për këtë skandal, të bëjë publike edhe honoraret me avokatin Trajçev, të japë informata nëse ka pasur tender për të angazhuar avokat me çmim më të kapshëm, të japë përgjigje se cilat kanë qenë kriteret e përzgjedhjes së avokatit Trajçev, ti tregojë arsyet se përse është përcaktuar për avokatin në fjalë duke anashkaluar qindra avokat të qytetit tonë” theksoi Etemi.
Ai ka pyetur publikisht të parën e Tetovës nëse njeh ndonjë kolegë të saj, kryetar maqedonas të ndonjë komune që ka angazhuar një avokat shqiptar, ndërsa e kanë akuzuar atë se vazhdon të mos bëjë publike kontratat për furnizime që lidhen në emër të komunës. /Insajderi.com