Tha se Kosova s’është Serbi, kreu i Akademisë serbe refuzon tërheqjen nga detyra

Tha se Kosova s’është Serbi, kreu i Akademisë serbe refuzon tërheqjen nga detyra

Në Akademinë e Shkencave të Serbisë të marten ka pasur tensione si pasojë e një deklarate që kishte bërë më parë kreu i kësaj akademie, Vladimir Kostiq, i cili kishte thënë se “Kosova nuk është e Serbisë”. Për shkak të kësaj deklarate serbë nga Kosova kanë kërkuar dorëheqjen e Kostiq, por ky i fundit ka refuzuar dorëheqjen nga detyra. Në përkrahje të qëndrimeve të tij ka dalë edhe Akademia, transmeton Insajderi.

Siç shkruan “danas”, një delegacion me serbë nga Kosova kishte shkuar drejt Akademisë së Shkencave në Serbi duke i kërkuar Kostiqit largimin për arsye morale dhe që të shprehet publikisht se “Kosova është pjesë e Serbisë”.

Sipas tyre, Kostiqi, si president i Akademisë, s’mund të shprehë “qëndrime personale antikushtetuese në publik”.

Sipas mediave serbe, një grup qytetarësh nga Kosova kishin dërguar te Kostiqi fotografi të “serbëve të zhdukur”, duke përfshirë edhe fotografi të qytetarëve me mbiemrin e Kostiqit. Si përfaqësues i këtyre serbëve, Ranko Dinoviq nga Gjakova ka deklaruar se do të organizojnë protesta para Akademisë sapo që të kalojë pandemia. Ai ka kërkuar nga Kostiqi që të kërkojë falje dhe të tërhiqet nga deklarimi i tij.

Siç përshkruhet, takimi mes serbëve të Kosovës dhe Kostiqit në Akademinë serbe kishte zgjatur për më shumë se një orë e gjysmë, me dyer të mbyllura, e shpeshherë me “tone të ngritura” dhe akuza kundrejt Kostiqit.

Kostiq është shprehur se ishte takim i rëndë dhe se “i kupton tragjeditë që kanë përjetuar serbët”.

Në mbrojtje të Kostiqit ka dalë edhe Akademia. Pas sulmeve nga publiku dhe mediat, Bordi Ekzekutiv i Akademisë ka thënë se “është e drejtë e secilit të shprehë mendimin e tij personal”.

Ky reagim vjen pas deklaratave të mëparshme të kryeakademikut serb, Vladimir Kostiq i cili kishte thënë s “dikush duhet t’u thotë këtyre njerëzve se Kosova nuk është më de facto ose de jure në duart tona” dhe se në këtë moment, “e vetmja mençuri politike është se si ta lësh Kosovën me dinjitet”.

Një grup prej 93 të quajtur intelektualë serbë i kishin dërguar një letër të hapur Akademisë serbe të Shkencave dhe Arteve duke kërkuar që kryetari i saj, Vladimir Kostiq të jepte dorëheqje lidhur me deklaratat e tij se “Kosova s’ka qenë dhe s’do të jetë e jona”./Insajderi.com