Thaçët janë ende ne “bela” me familjen Rrustemi – Haradinaj takon njërin prej tyre

Thaçët janë ende ne “bela” me familjen Rrustemi – Haradinaj takon njërin prej tyre

Një sulm fizik i Gani Thaçit, vëllait të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndaj ish-drejtorit të Postës dhe Telekomit, Etrur Albanit, në vitin 2009, kishte tensionuar marrëdhëniet mes dy familjeve: Thaçëve dhe Rrustemëve.

Etrur Albani, i cili ndërroi mbiemrin nga Rrustemi në Albani në vitin 2011, është vëllai i Naim Rrustemit – ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili tash është drejtor menaxhues i kompanisë britanike Fox Marble e cila operon edhe në Kosovë.

Sulmi i Gani Thaçit ndaj Etrut Albanit ndodhi në qershor të vitit 2009 në Prishtinë. Siç kishte raportuar Koha Ditore, Thaçi e kishte goditur brutalisht me grushte në kokë Albanin.

Albani kishte thënë se nuk i dinte arsyet e sulmit. Ai është shtetas britanik dhe asokohe rastin e kishte paraqitur në ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë.


Etrur Albani

“Unë nuk e di arsyen për këtë sulm, por ai (Gani Thaçi) e di. Unë nuk kam asnjë ide se pse ka ndodhur kjo. Isha në kafe me një shtetas të huaj, ndërsa Gani Thaçi ishte brenda. Doli jashtë duke më sulmuar mua”, kishte thënë Rrustemi.

Etrur Albani nuk mban më pozitë publike në Kosovë dhe jeton prej vitesh në Britani të Madhe. Ndërkaq, vëllai i tij, Naim Rrustemi, nuk është më pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Mirëpo, tensionet mes familjeve Thaçi dhe Rrustemi vazhdojnë ende.

E sot kryeministri Haradinaj ka takuar vëllain e Etrur Albanit, të cilin e kishte sulmuar fizikisht Gani Thaçi.

Haradinaj ka biseduar me drejtorin menaxhues të kompanisë së gurorëve, Fox Marble, Naim Rrustemin. Siç njoftoi përmes rrjetit social Facebook, kryeministri u shpreh se Fox Marble përfaqëson një storie suksesi në Kosovë.

“Prita në takim Naim Rrustemin, drejtor menaxhues të Fox Marble, me të cilin biseduam për mundësitë e rritjes së kapaciteteve eksportuese të vendit tonë”, u shpreh Haradinaj. “Fox Marble është një storie e suksesit për Kosovën, që ka rreth 100 të punësuar dhe eksporton në shumë vende të botës.”

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi janë përfshirë në një debat lidhur me taksën 100 për qind që Qeveria e Kosovës vendosi ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës në nëntor të vitit të kaluar.

Thaçi paralajmëroi ditë më parë se Kosova do ta shqyrtojë heqjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, mirëpo kryeministri Haradinaj vazhdon të insistojë se kjo taksë do të hiqet vetëm kur të ndodhë njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. /Insajderi.com