
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për Deutsche Welle, ka thënë se Serbia po kërcënon me destabilizimin e Kosovës duke dërguar njerëz me uniforma në veri dhe është duke armatosur serbët me armë për t’u mbrojtur kinse nga sulmet shqiptare.
“Serbia është duke përdorur modelin rus në Ukrainë. Po dërgon civilë, por edhe njerëz me uniforma në veri dhe është duke armatosur serbët me armë dore, por edhe me armë të tjera, në mënyrë që të jenë të përgatitur për t‘u mbrojtur nga kinse sulmet shqiptare. Por unë i ftoj serbët që të mos bien pre e politikës nacionaliste të Beogradit”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka thënë se Beogradi duke parë heshtjen e Brukselit po inspirohet për planet e saj për aneksimin e pjesës veriore të Kosovës.
“Beogradi duke parë heshtjen e Brukselin, po inspirohet edhe më shumë në planet e tij për aneksimin e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkëngjitjen e saj me Serbinë”, ka thënë Thaçi.
Duke parë këto kërcënime të njëpasnjëshme, Thaçi, ka thënë se do të kërkoj nga Bashkimi Evropian që të i bëhet presion më u fuqishëm Beogradit që të mos cenoj sovranitetin territorial të Kosovës.
“Unë do të kërkojë nga zonja Mogherini që të jetë e qartë dhe e saktë në raport me Beogradin. Beogradit duhet t’i bëhet presion i fuqishëm që të mos cenoj edhe më tutje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka shtuar ai.
Thaçi në këtë intervistë ka folur edhe për fletarrestimet e lëshuara nga Serbia duke shprehur pafuqinë e tij për të ndikuar tek fletëarrestet e lëshuara nga Beogradi.
“Askush nuk duhet të pres që unë të ndikojë tek Begoradi për fletëarreste, sepse edhe unë vetë jam në fletëarrestet e Serbisë, jam ndaluar sikur dhe shumë komandantë dhe bashkëluftëtarë të mi. Këtë autoritet e ka vetëm BE-ja, e cila duhet të jetë e prerë në kërkesat që Serbia të ndërpresë provokimet ndaj Kosovës”, është shprehur Thaçi.
Presidenti i Kosovës është shprehur i bindur se muri në veri të Kosovës do të hiqet , sa më parë ani pse një gjë tillë do duhet të ndodhte dje.
“Muri duhet të hiqet, është dashur të hiqet dje, por duhet të hiqet sa më parë që është e mundur, sepse nesër mund të jetë vonë”, ka thënë Thaçi./Insajderi.com