Thaçi: Askush nuk mund të vendosë veto për formimin e Ushtrisë

Thaçi: Askush nuk mund të vendosë veto për formimin e Ushtrisë

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim një delegacion të  Iowa-s të udhëhequr nga Sekretari për Bujqësi, Bill Northey

Thaçi ka deklaruar se transformimi i FSK-së në ushtri është e drejtë kushtetuese e Kosovës, duke ritheksuar se askush nuk mund të vendos veto dhe se ky transformim është i pandalshëm.

“Do të lëvizim në mënyrë të koordinuar në transformimin e FSK-së”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër, gjeneralmajori Timothy Orr ka thënë se partneriteti ndërmjet gardës dhe FSK-së është shumë i fuqishëm dhe do të vazhdojnë me trajnime dhe programe të ndryshme mbështetëse për FSK-në.

Me delegacionin e Iowas, presidenti Thaçi ka biseduar edhe për shkëmbimet në fushën e arsimit, bujqësisë dhe fushave të tjera.

Thaçi theksoi se vizitat e ndërsjella janë shumë të rëndësishme për të avancuar bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve në të gjitha fushat.

“Raportet tona me SHBA-në përjetësisht do të jenë të veçanta. Bashkëpunimi jonë me Iowa është vetëm reflektim i këtyre raporteve. Ky bashkëpunim është duke forcuar shtetin tonë”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Ai ka mirëpritur edhe idenë e delegacionit për të hapur një Zyre të Iowas në Kosovë, e cila do të lehtësonte edhe më shumë komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve./Insajderi.com