Thaçi deklarohet pas takimit me sekretarin amerikan Pompeo

Thaçi deklarohet pas takimit me sekretarin amerikan Pompeo

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka falënderuar Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Mike Pompeo, për përkrahjen ndaj Kosovës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Thaçi ka shkruar se Kosova dhe Amerika do t’i thellojnë edhe më shumë marrëdhëniet me ShBA-në, përcjell Gazeta Insajderi.

“ShBA dhe Kosova gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe ne do të vazhdojmë t’i thellojmë ato. Faleminderit Sekretarit Pompeo për angazhimin tuaj për ta mbështetur integrimin e plotë të Kosovës në familjen Euro-Atlantike. Kosova është e bekuar me besimin dhe partneritetin e ShBA-së”, ka shkruar Thaçi.

Ndërsa në Facebook, Thaçi ka dhënë një tjetër mesazh për dallim nga ai në Twitter. Në Facebook, presidenti ka shkruar për NATO-në, ku ka thënë Kosova tashmë ka ushtrinë e vet dhe me standarde të NATO-së.

“Zëvendëssekretarin e Mbrojtjes, David Norquist, sot e falënderova për mbështetjen e SHBA-së për themelimin e ushtrisë së Kosovës. Kosova tashmë e ka ushtrinë e vet profesionale dhe me standarde të NATO-s, që është e gatshme gjithmonë të përfshihet në misionet humanitare e paqeruajtëse në botë, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Thaçi.

Tutje presidenti i vendit ka thënë se është vitale që Kosova të jetë pjesë e NATO-së.

“Ne ndamë bindjen e njëjtë se është vitale për sigurinë në Evropën Juglindore që Kosova të jetë sa më shpejtë anëtare e NATO-s”, ka përfunduar Thaçi.

Thaçi është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, derisa atij i është bërë pritje me ceremoni shtetërore. /Insajderi.com