Presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti janë takuar edhe dy herë" />

“Thaçi dhe Kurti u takuan dy herë larg mediave”, Presidenca s’e thotë asnjë fjalë

“Thaçi dhe Kurti u takuan dy herë larg mediave”, Presidenca s’e thotë asnjë fjalë

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti janë takuar edhe dy herë të tjera, përveç takimit zyrtar në Presidencë për konsultimet për formimin e Qeverisë.

Kështu ka thënë gazetari Baton Haxhiu në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Hashim Thaçi dhe Albin Kurti janë takuar dy herë. Dhe kanë biseduar gjatë”, është shprehur Haxhiu.

Gazeta Insajderi ka pyetur zyrën e Presidentit rreth kësaj çështjeje, por e njëjta nuk ka kthyer as edhe një përgjigje.

Por i menjëherëshëm ka qenë reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Përmes një përgjigje me shkrim për Insajderin, Zyra për Informim e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se publicisti Haxhiu ka gënjyer.

“Baton Haxhiu po rren dhe kjo s’përbën lajm”, thuhet në përgjigjen e LVV-së. “Presidentit më në fund po ia shpjegojnë rolin e vet, që është ceremonial e formal”.

Lëvizja Vetëvendosje shprehet se Haxhiu punon për interesa të presidentit Thaçi dhe “kundër Vetëvendosjes”.

“I zënë ngushtë në këtë pasivitet të sapozbuluar, ka mundësi t’i ketë dërguar letër Baton Haxhiut e t’i ketë kërkuar ta nxjerrë nga situata. Ky i fundit i gatshëm është të gënjejë, në ndihmë të presidentit e kundër Vetëvendosjes”, nënvizon LVV.

Haxhiu më pas ka reaguar edhe një herë. Ka thënë se nëse se do të heq dorë nga jeta publike nëse ky lajm s’është i vërtetë.

“Para takimit zyrtar kanë ndodhur edhe dy takime tjera. Për hir të korrektësisë nuk dua ta përmend ndërmjetësuesin. Takimi i parë ka ndodhur me ndërmjetësimin e një institucioni ndërkombëtar. Takimi i dytë ka ndodhur me pajtimin e të dyve, pa ndërmjetësim. E kuptoj z. Manxhuka për reagimin e tij. Ai e ka thënë të vërtetën e tij”.

“Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje me siguri nuk i ka treguar për këtë takim askujt nga partia e tij. Pres nga Albin Kurti të më demantojë vet ai, nëse takimet nuk kanë ndodhur. Nëse kam gënjyer, unë heq dorë nga jeta publike. Por, nëse ka gënjyer ai, duhet t’i kërkojë falje anëtarësisë së Lëvizjes Vetëvendosje, sepse nuk pranoj kërkim-falje nga ai”./Insajderi.com