Gjykata Speciale ka bërë të ditur se është caktuar paneli për të vendosur në lidhje me apelin për pjesëmarrjen e viktimave në rastin e ish-presidentit, Hashim Thaçi dhe të tjerë, të cilët janë duke u gjykuar në Hagë, shkruan Insajderi.
Siç njoftohet nga Dhomat e Specializuara, Ekaterina Trendafilova ka caktuar panelin e Gjykatës së Apelit të përbërë prej gjykatësve Mishelë Pikar, Emilio Gati dhe Kai Ambos, për marrjen e vendimit lidhur me apelin kundër vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake me të cilin ai refuzoi kërkesat e disa individëve për të marrë pjesë si viktima në çështjen Thaçi dhe të tjerët.
Në tetor të vitit 2020, Gjykata Speciale për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës së Kosovës, kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nën dyshime për “kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë në 1998 dhe 1999”.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale “që kanë të bëjnë me krime lufte në Kosovë”./Insajderi.com