Thaçi dhe të tjerët dalin sot para Speciales

Thaçi dhe të tjerët dalin sot para Speciales

Konferenca e radhës për ecurinë e çështjes për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin do të mbahet të premten.

Siç njoftojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës, konferenca do të fillojë në orën 14:30.

Ndryshe, të enjten paneli i Gjykatës së Apelit në kuadër të Gjykatës Speciale e ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruar nga ish-presidenti, Hashim Thaçi, ndaj vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake për mbajtjen e tij në paraburgim.

Përmes vendimit të publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Apeli ka theksuar se Thaçi ka dështuar të dëshmojë se pse vendimi paraprak ka qenë i paarsyeshëm për rreziqet nëse ai lirohet.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve është konfirmuar më 26 tetor 2020 nga Gjykata Speciale në Hagë.

Sipas aktakuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë./Insajderi.com