Gjykata Speciale ka marrë vendim për t’i lejuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin që për disa çështje të ngritura nga ta, të apelojnë vendimin mbi mocionet e mbrojtjes që pretendojnë defekte në formën e aktakuzës.
Kjo është bërë e ditur me anë të vendimit të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale, ku thuhet se lejohet apelimi për Selimin për çështjet tre deri në gjashtë, si dhe për çështjen shtatë.
Për Jakup Krasniqin i është lejuar apelimi për çështjen e parë, të dytë, pestë, gjashtë, shtatë, nëntë dhe dhjetë, si dhe çështjen e tretë dhe katërt, që mbrojtja ka ngritur.
Kurse, për Hashim Thaçin është lejuar apelimi nga çështja e tretë në të gjashtën, si dhe nga e nënta deri në të pesëmbëdhjetën, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi paraprak ka refuzuar që të jap leje për apelim për çështjen e parë dhe të dytë të Selimit, për çështjen e tetë të Krasniqit, si dhe për çështjen e parë, dytë, shtatë dhe tetë të Thaçit.
Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Ata akuzohen se kanë kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë./Insajderi.com