Thaçi dhe Vuçiqi me versione të ndryshme për agjendën e takimit në Bruksel

Thaçi dhe Vuçiqi me versione të ndryshme për agjendën e takimit në Bruksel

Ende pa nisur takimi, liderët kosovar dhe serb kanë dhënë qëndrime diametralisht të kundërta rreth takimit që pritet të mbahet nesër në Bruksel.

Të dyja palët kanë dhënë versionet e tyre tek mediat lokale në Kosovë dhe Serbi, versionet e takimit të thirrur nga Bashkimi Evropian.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që tashmë gjendet në Bruksel ka paralajmëruar se në këtë takim i cili nuk ka temë të specifike, pritet të nisë faza e fundit e dialogut me Serbinë.

“Besoj se është momenti i fundit të hapet dialogu për relacionin mes Serbisë dhe Kosovës, për marrëdhëniet normale mes dy vendeve. Duhet të hapet një kapitull i ri dialogu, mes presidentësh që si qëllim ka marrëdhëniet e mira mes dy vendeve”, ka thënë Thaçi në “InfoBox” të RTV Dukagjini.

Thaçi nuk ka treguar se sa mund të zgjasë kjo fazë e dialogut mes presidentëve, por kryeministri i Serbisë ka dhënë krejt tjetër version për takimin.

“Do të pyes përfaqësuesit e Bashkimit Evropian që të mos mbështesin sjelljen e parave dhe armëve në vendet ku nuk përkasin”, ka thënë kryeministri serb, duke iu referuar dërgimit të forcave speciale “ROSU” në veri të vendit, ditën kur Serbia kishte nisur një tren ilegal nga Beogradi në Mitrovicë.

Kryeministri serb, ka shtuar se të gjitha këto çështje që ka ndodhur gjatë kësaj kohe do të jenë temë e takimit të nesërm.

Ky takim në Bruksel vjen pas ngjarjeve të fundit, ndërtimit të murit në pjesën veriore të Mitrovicës, arrestimit të Ramush Haradinajt me një fletarrest të lëshuar nga Serbia për luftëtarët e UÇK-së dhe provokimin me nisjen e trenit me mbishkrime “Kosova është Serbi” nga Beogradi në Mitrovicë, tren ky që u ndalë në Rashkë, sipas Thaçit, me vendim të tij ndërsa sipas Vuçiqit me vendim të Serbisë pas kërcënimeve me forca special të Policisë./Insajderi.com