Thaçi do qartësi: “Si mbyllen Dhomat e Specializuara?”

Thaçi do qartësi: “Si mbyllen Dhomat e Specializuara?”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të cilit i është ngritur një aktakuzë nga Gjykata Speciale, po kërkon më shumë qartësi për këtë institucion të themeluar nga vetë Kuvendi i Kosovës.

Presidenti do më shumë qartësi rreth asaj se si i përfundon mandati kësaj Gjykate.

Ai në një postim në llogarinë e tij në Facebook për këtë ka kërkuar ndihmën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Nga Kuvendi i Republikës së Kosovës po kërkoj që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Kemi nevojë për qartësi sa i përket mënyrës sesi mbyllen Dhomat e Specializuara, prandaj besoj se deputetët do ta përkrahin këtë iniciativë timen”, shkruan Thaçi.

Presidenti gjithashtu shkruan se “politika nuk duhet të ndërhyjë në drejtësi dhe as drejtësia në politikë. Kjo ishte bindja ime në çdo hap të mbështetjes për krijimin e gjykatave ndërkombëtare dhe paneleve speciale në këto njëzet vitet e fundit”.

Thaçi do të ketë një paraqitje publike po në Facebook, ku pritet të sqarojë më shumë nga ajo që thuhet në status dhe rreth nismës së tij.

Hashim Thaçi, bashkë me Kadri Veselin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe nëntë persona të tjerë, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të ditur, kanë pranuar aktakuzë nga Gjykata Speciale.

Ata akuzon për rreth 100 raste; vrasje, rrahje dhe të tjera.

Vetë Thaçi ishte për disa ditë rresht në Hagë, ku ishte marrë në pyetje./Insajderi.com