Thaçi ‘dridh’ Qeverinë

Thaçi ‘dridh’ Qeverinë

Te disa ministra të PDK-së vlerësohet se ka më shumë ndikim presidenti Hashim Thaçi sesa kryetari i kësaj partie Kadri Veseli. Për këtë arsye ky i fundit po e shikon mundësinë e zëvendësimit të disa prej tyre.

Kreu i PDK-së ende nuk e ka pranuar dorëheqjen e ofruar nga ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, i cili të shtunën së bashku me ministrin e Financave Bedri Hamzën e ka shoqëruar Thaçin në vizitën që ia ka bërë Ujmanit, vizitë kjo të cilën e ka kritikuar Veseli, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Qeveria e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj nuk po arrin të jetë e qëndrueshme, ani pse ka vetëm një vit prejse është formuar. Pas tre ministrave që kanë dhënë dorëheqje përgjatë një vit qeverisjeje, para pak ditësh dorëheqjen e tij e ka ofruar edhe ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, i cili vjen nga radhët e PDK-së.

Madje, pos Tahirit, janë paralajmëruar edhe dy dorëheqje të tjera për në ditët në vijim, pikërisht nga dikasteret me të cilat udhëheq PDK-ja.

Dje mediet kanë raportuar se dorëheqjen e ka ofruar edhe ministri i Inovacionit, Besim Beqaj. Kryeministri Ramush Haradinaj ka konfirmuar dorëheqjen e ofruar nga Tahiri, por ka thënë se ajo do të pranohet vetëm atëherë kur do ta aprovojë kryetari i këtij subjekti Kadri Veseli. Ndërkohë, edhe ky i fundit ka pohuar se vendimmarrja mbi këtë çështje do të jetë e PDK-së, porse nuk ka dhënë më shumë detaje rreth dorëheqjes së Tahirit.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se një situatë e tillë mund të jetë një lëvizje taktike e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Largimi i ministrave të PDK-së, që konsiderohen të afërt me presidentin, sipas tyre, mund të lexohet si një kërcënim i hapur i presidentit, drejtuar Haradinajt e Veselit, se nëse ata vazhdojnë të mos e mbështesin idenë e tij për korrigjim të kufirit me Serbinë, atëherë Qeveria shumë shpejt mund të rrëzohet.