
Presidenti Hashim Thaçi do të kërkojë llogari nga kryeministri Ramush Haradinaj, pasi ky i fundit ua ka imponuar shefave të misioneve diplomatike të Kosovës që qëndrimin e tij për demarkacionin ta prezantojnë si qëndrim zyrtar.
Kjo, pavarësisht faktit se të kundërtën e Haradinajt për demarkacionin e mendon kreu i shtetit, por edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, shkruan sot “Koha Ditore”.
Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit, i ka thënë “Kohës Ditore” të premten se do të kërkohen sqarime nga kryeministri.
Ai ka theksuar të jetë normale që Qeveria e edhe kryeministri të japin udhëzime apo rekomandime për ambasadorët, në lidhje me ndonjë çështje të caktuar, por ka thënë se çdo qëndrim apo rekomandim i tillë që ndërlidhet me politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, duhet patjetër të bëhet në konsultim dhe koordinim me presidentin.
Kjo, pasi ka thënë se kështu e përcakton Kushtetuta e Kosovës.