Thaçi e liroi nga burgu dhëndrin që vrau vajzën e tij, reagon Rrjeti i Grave të Kosovës

Thaçi e liroi nga burgu dhëndrin që vrau vajzën e tij, reagon Rrjeti i Grave të Kosovës

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar në lidhje me vendimin e Presidentit për njërin nga rastet e falura.

Në mesin e të falurve, Presidenti ka falur edhe një të njohur të tij, respektivisht, dhëndrin e axhës së tij, i cili në vitin 2008 kishte kryer 2 vrasje. Në mesin e të vrarëve ishte vajza e tij 15 vjeçe dhe kushëriri i tyre i moshës 21 vjeç.

“Ligji për Falje i Republikës së Kosovës, në Nenin 5, thotë se “rrethanat që mund të shqyrtohen gjatë dhënies së faljes përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në: peshën e krimit; rrezikun e recidivizmit; pendimin e sinqertë; dhe shfaqjen e sjelljeve dhe karakterit të respektueshëm”.

Bazuar në këtë, Rrjeti i Grave të Kosovës, ngrit shqetësimin në lidhje me atë se cilat kritere janë marrë për bazë në rast të faljes nga mbajtja e dënimit të burgut të këtij personi.

Në mediat lokale, thuhet se pas dënimit fillestar prej 6 muajsh, me rastin e vrasjes së vajzës së tij, i njëjti, është liruar, dhe po atë ditë, ai kishte ushtruar edhe vrasjen e dytë. Më këtë rast, nuk është dëshmuar se ka shenja të pendimit të sinqertë, dhe po i njëjti mund të konsiderohet si rrezik për recidivizëm, bazuar në të kaluarën e tij”, thuhet në reagim.

Më tej, RrGK ka thënë se edhe fakti që Presidenti dhe i faluri, kanë lidhje familjare, po ashtu paraqet një shqetësim, pasi që ky mund të jetë një mesazh dekurajues për të burgosurit dhe të burgosurat por edhe për të gjithë shoqërinë.

“Rrjeti i Grave të Kosovës beson në dhënien e mundësive të secilit individ që të përparojë, të rehabilitohet dhe të marrë trajtimin e duhur, në përputhje me ligjet në vend. RrGK e konsideron pozitiv faktin që qytetarëve dhe qytetareve që kanë kryer ndonjë vepër penale, tu jepet mundësia e faljes nga mbajtja e denimit të burgut, ashtu siç parasheh Kushtetuta dhe Ligji për Faljen. Mirëpo, edhe në këto raste, duhet të jemi të vëmendshëm se cilat raste po i falim, dhe çfarë mesazhi po i dërgojmë shoqërisë me këto falje”, thuhet në reagimin e RrGK-së.

RrGK ka thënë se në të kaluarën ka vizituar Instituctionet Korrektuese, ku ka parë raste të grave të cilat në vetëmbrojtje kanë vrarë anëtarë të familjes.

“Edhe pse ka pas raste dhe fakte për torturat që këto gra i kanë përjetuar ndër vite si pasojë e dhunës në familje ndaj tyre, ky fakt nuk është marrë parasysh si rrethanë lehtësuese nga ana e gjyqësorit dhe po këto gra janë dënuar për vrasje në vetëmbrojtje me burgim deri në 30 vite. Andaj jemi të shqetësuara se në këtë rast, falja e ushtruar si e drejtë e Presidentit nuk ka respektuar institucionin e faljes si institucion i përkufizuar sipas ligjit të Kosovës”, thuhet mw tej nw reagim.