Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është ftuar të raportojë të hënën para Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës.
Në të njëjtën ditë para të njëjtit komision është i ftuar për raportim edhe avokati britanik Geofffrey Nice.
Një email i këtij të fundit drejtuar Qeverisë së Kosovës në fillim të këtij viti kishte nxjerrë në pah dyshimet për abuzime të zyrtarëve shtetërorë me paratë e dedikuara për lobim.
Avokati Nice pretendon që Thaçi i ka mbetur borxh rreth gjysmë milioni euro për shërbimet që ky i ka kryer për të. Nice ishte angazhuar ta këshillonte Thaçin, kishte ndihmuar në krijimin e një materiali të nevojshëm kur Gjykata Speciale të jetësohej, si dhe e kishte ndihmuar në një pjesë të librit biografik të presidentit, i cili u botua tash së fundmi me titullin “Shteti i ri – burrështetas modern”, shkruan Koha Ditore.
Komisioni Hetimor Parlamentar i krijuar pikërisht për këtë çështje është në fund të mandatit ligjor. Ky komision ka edhe dy javë kohë që të dalë me raport në lidhje me gjetjet e punës hetimore për këtë muaj.