Thaçi i kundërpërgjigjet deputetes së Kurtit – e pyet se çfarë krimi ka bërë UÇK-ja?

Thaçi i kundërpërgjigjet deputetes së Kurtit – e pyet se çfarë krimi ka bërë UÇK-ja?

Presidenti Hashim Thaçi e ka shprehur edhe një herë krenarinë e tij për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Jam krenar që kam qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga themelimi i saj. Ka qenë nderi më i madh në jetën time që ta barti uniformën e UÇK-së dhe të jem Drejtor Politik i saj. Ajo uniformë dhe shërbimi në luftën tonë çlirimtare nuk është hendikep, por nder, përparësi dhe krenari në çdo përballje me këdo”, ka shkruar Thaçi, duke iu kundërpërgjigjur kështu deputetes së VV-së, Fatmire Mulhaxha Kollçaku.

Ajo sot tha se “Kurti nuk është i korruptuar, nuk ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së”.

“Nuk kam menduar, e lëre besuar, se do të vijë dita që një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës të thotë me krekosje se Kryeministri i tashëm i Kosovës në përballje me Serbinë është më i fortë sepse “nuk ka dosje kriminale të UÇK-së”.

“E pyes zonjën në fjalë: çfarë krimi ka bërë UÇK-ja? UÇK ka pasur vetëm një mision – dëbimin e Serbisë nga Kosova”, ka vazhduar tutje shkrimi i Presidentit.

“UÇK ëndrrën e popullit të Kosovës e bëri realitet. Fituam lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin. Etiketimet e tilla për UÇK-në, projektin më madhor kombëtar, i kemi dëgjuar vetëm në Beograd dhe në Moskë”.