Thaçi i thumbon Haradinajn për Luginën e Preshevës – ia përmend Milan Radojçiqin

Thaçi i thumbon Haradinajn për Luginën e Preshevës – ia përmend Milan Radojçiqin

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, i është përgjigjur shpejt komenteve që kryeministri Ramush Haradinaj i bëri në një tubim me strukturat e partisë së tij, e ku tha se nuk e ka pasur të lehtë ta kthejë në rrugë të duhur dialogun me Serbinë.

Thaçi, në një postim të tij në Facebook, ka thënë se e drejta e përfshirjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Republikën e Kosovës është legjitime, korrigjim i padrejtësive historike dhe siguri për qytetarët e asaj treve për të jetuar në trojet e tyre.

“Kjo përpjekje ka ndalur së realizuari angazhimet e sofistikuara që veriu i Kosovës t’i dorëzohet Milan Radojçiqit, fillimisht pasuria e Trepçës, për të vazhduar me transformimin e pasurive shtetërore në ato komunale (katër komunat e veriut) dhe, po ashtu, ka parandaluar planet për sovranitet të dyfishtë dhe asociacion me mandat ekzekutiv, modeli i Republikës Serbe, pra autonomi rajonale”, ka thënë Thaçi.

Kujtojmë se Thaçi ka qenë zëvendëskryeministër që bashkë me Isa Mustafën shef të tij në ekzekutiv, kishte qenë në Bruksel kur qe nënshkruar marrëveshja për Asociacionin, për të cilën Kushtetuesja gjeti se ai dokument shkel Kushtetutën në 23 nene.

Sidoqoftë, Thaçi ka thënë se vazhdon të besojë fuqishëm se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës dhe për arritjen e këtij qëllimi ne duhet të jemi të bashkuar.

“Humbja eventuale e kësaj mundësie, do të jetë gabim historik i pariparueshëm”, ka thënë Thaçi.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, njëherësh edhe kryeministër i vendit tha se ka arrit që ta orientojë procesin e dialogut me Serbinë në rrugë të duhur.

“Kur e kam marr detyrën Kosova e kishte dorëzuar vendimmarrjen e vet tek të huajt, krejt temat kryesore tonat të këtij vendi për me vendos, por ishin parapa që me u vendos në tavolinë, dialog. Ne si shtet sovran i kishim çuar këto vendime në tavolinë te Mogherini, Vuçiqi, në këtë rast edhe presidenti ynë. Pra Qeveria ka hequr vendimet prej asaj tavoline dhe ka sjellë në Prishtinë për t’i marrë Qeveria. Kjo ka qenë pak e vështirë me i ndërru do rene, mos me thënë me i idhnu dikon, por fatmirësisht e kemi bërë pa dëme të mëdha, siç thotë populli pa therë në këmbë”, tha Haradinaj.