Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot për herë të tretë, e ka ftuar në takim kandidatin për kryeminstër, Albin Kurtin.
“Andaj me qëllim të konsultimit për të propozuar kandidatin për Kryeministër për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsulativ, me datën 31 dhjetor 2019, në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në ftesën e Thaçit drejtuar Kurtit.
Për ftesën e tretë, as Albin Kurti dhe asnjë nga partia e tij nuk është deklaruar. Insajderi gjatë tërë ditës ka tentuar të marrë një prononcim se a do e pranojë ftesën, mirëpo zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë të paqasshëm.
Ndryshe, dje Kurti tha se presidenti përcakton datën e konstituimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë.
“Formimin e Qeverisë e përcakton tjetërkush, e jo presidenti. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Caktimi i mandatarit për formimin e qeverisë ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në dinamikën e formimit të institucioneve, përkatësisht qeverisë, pasi që nga momenti i caktimit të tij, do të nisë rrjedhja e afatit ligjor prej 15 ditësh për formimin e qeverisë së re.
Pas ftesës së bërë, as Presidenti Thaçi nuk është deklaruar më./Insajderi.com/