Hashim Thaçi ka shpjeguar përmes një statusi në llogarinë e vet në Facebook se cila është arsyeja e takimit të tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Nesër, në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me zonjën Mogerini dhe presidentin e Serbisë, do të diskutojmë dhe shkëmbejmë idetë fillestare për mënyrën se si do të vazhdojmë dialogun në fazën e re dhe objektivat që synojmë të arrijmë në kuadër të procesit të normalizimit”, ka shpjeguar Thaçi.
Thaçi ka thënë se ky është vetëm një takim fillestar në këtë fazë të re të dialogut.
“Ky është vetëm takimi fillestar në këtë fazë të re të dialogut, që dëshmon përkushtimin tonë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, që është kriter kyç për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO”.
Ai ka ftuar të gjitha partitë politike që mos të humbin kohë në formimin e institucioneve të reja
“Duke marrë në kosideratë detyrat e shumta që i presin institucionet e reja që duhet të krijohen pa humbur kohë, ftoj për untitet të gjitha partitë politike dhe institucionet e Republikës së Kosovës në të gjitha çështjet e interesit shtetëror”, ka shkruar tutje Thaçi.
“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pikërisht një çështje prioritare e interesit shtetëror, prandaj unë do të punoj me këmbëngulje që të jemi të bashkuar si institucione shtetërore dhe parti politike parlamentare pa përjashtim”, ka përfunduar Thaçi shkrimin e tij. /Insajderi.com