Thaçi ‘kërcënon’ Kurtin për çështjen e mandatarit, ja cili është reagimi i Vetëvendosjes

Thaçi ‘kërcënon’ Kurtin për çështjen e mandatarit, ja cili është reagimi i Vetëvendosjes

Lëvizja Vetëvendosje ka ritheksuar edhe një herë se brenda afateve do të bëjnë edhe dorëzimin e emrit për mandatar, por, pa saktësuar se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

“Në këtë drejtim ne po bëjmë të gjitha përpjekjet që sa më parë të kemi qeverinë e re, ndërkaq siç është theksuar në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Lëvizjes përbrenda afateve dha pa ndonjë vonesë Lëvizja VETËVENDOSJE! sigurisht se do të dërgojë emrin e mandatarit ashtu siç parashihet me Kushtetutën e vendit dhe me këtë rast ne do ta njoftojmë opinionin publik me kohë kur do ta dorëzojmë emrin e mandatarit”, ka thënë zëdhënësi për media i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, shkruan Insajderi.

Ky reagim i Vetëvendosjes ka ardhur pak kohë pas Presidenti Hashim Thaçi “kërcënoi” se do të ndërmerr veprime kushtetuese në rast se nuk gjendet zgjidhje për formim të institucioneve.

“Unë shpresoj në vullnetin e mirë të spektrit politik që të gjejnë zgjedhje politike në përputhshmëri me votën e qytetarëve me 6 tetor, shpresoj që kjo zgjedhje të jetë sa më e shpejt. Në anën tjetër do të ndërmarrë të gjitha hapat kushtetues dhe ligjor”, ka thënë sot Thaçi, para mediave.

Dorëzimin e emrit për mandatar Thaçi e ka kërkuar që disa herë mirëpo, ka qenë Kurti, ai i cili ka thënë se Presidenti “duhet të të mos bëjë presion”.

LVV dhe LDK ende nuk kanë arritur që të dakordohen për koalicion, ndërsa, tani vetëm se janë shtuar edhe më shumë përplasjet mes tyre. Kjo pasi që as njëra e as tjetra palë nuk po lëshojnë pe nga kushtet që kanë vënë në ‘tavolinë të diskutimit’./Insajderi.com